Fier, gjyqi i Miles blindon gjykatën
Gjyqi i të akuzuarit për vrasjen e nënës së Lulëzim Cakës bllokon për tri orë Gjykatën e Fierit. Seanca gjyqësore ndaj Fatmir Eminit, i njohur me nofkën "Mile" është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie paraditen e djeshme. Ai cili vuan dënimin prej 22 vjetësh burg për vrasje të dyfishtë. Dje, në Gjykatën e Fierit, të fortit të lagjes së çamëve i është komunikuar akuza për vrasjen e Xhevrie Cakës, nënës së të tmerrshmit të Beratit, Lul Caka. Policia lokale ka marrë masa të jashtëzakonshme sigurie, pasi i trembej ndonjë tentative për ekzekutimin e të akuzuarit Fatmir Emini. Pesë automjete policore dhe mbi 30 policë kanë mbajtur nën kontroll dhe izolim total mjediset përreth gjykatës, ku po zhvillohej seanca e parë formale për vrasjen dhe masakrimin e shtetases Xhevrie Caka, vepër për të cilën akuzohet Fatmir Emini. Askush nuk është lejuar që të marrë pjesë në këtë seancë gjyqësore përfshirë këtu edhe mediat dhe sipas efektivëve blu kjo është bërë për arsye sigurie. Ndërkohë edhe informacionet në lidhje me këtë seancë dhe akuzat e drejtpërdrejta që rëndojnë mbi Milen kanë qenë të pakta. Për shkak të pranisë së Miles në Gjykatën e Fierit nuk janë lejuar të hyjnë në gjykatë edhe familjarët e një tjetër të pandehuri, i cili gjykohej për një krim ordiner në një sallë tjetër. "Shtetrrethimi" është shpërbërë vetëm tri orë më vonë, rreth mesditës, kur furgoni që transportonte Milen dhe automjetet policore që e shoqëronin atë janë nisur drejt burgut të Rrogozhinës. Avokati mbrojtës i Fatmir Eminit, Agron Kalemi, ka kërkuar më tepër prova, duke i konsideruar të pabaza dyshimet që ka paraqitur prokurori i çështjes Shkëlqim Sino, por gjyqtari Ergys Selami ka dhënë masën sigurisë të "arrestit me burg". Nga burime konfidenciale mësohet se në sallë të gjyqit i pandehuri nuk ka thënë asnjë fjalë, as për të pranuar dhe as për të mohuar këtë akuzë. Fatmir Emini, i dënuar në vitin 2007 për vrasjen e "Loshit të Karbunarës" (djali i tezes së Lul Cakës), u mor si i pandehur javën e shkuar edhe për vrasjen e nënës së të tmerrshmit të Beratit, pasi policia dhe prokuroria arritën të gjenin dëshmi dhe prova që implikojnë atë në krimin e shëmtuar të ndodhur në vitin 1999. Xhevrie Caka, 62 vjeçe, u rrëmbye pranë portës së Drejtorisë së Policisë së Fierit, ku bëheshin takimet me të burgosurit më 1 korrik të vitit 1999, pasi kishte dalë nga një takim me djalin e saj të arrestuar, Lulëzim Caka. Më pas ajo është torturuar, përdhunuar dhe vrarë me armë zjarri në pyllin e Semanit. Nga burime policore mësohet se një ditë më pas, vrasësit futën në birucën e Lul Cakës një pako, brenda së cilës ishin vendosur pjesë nga trupi i nënës së tij.