E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, ikën drejtori i policisë Hasan Rama

04/02/2005  Largohet nga Drejtoria e policisë së Fierit, Hasan Rama. Një urdhër i ministrit të Rendit Publik, e ka transferuar kryepolicin në Tepelenë, në postin e shefit të komisariatit. Vendin e lënë bosh nga Rama, e ka zënë Sokol Kalani.

Ndryshimet

Ministri Toska ka firmosur më në fund vendimin për largimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Qarkut të Fierit. Burimet zyrtare nga dikasteri blu, shprehen se motivi i largimit të Ramës është "largim nga detyra për mosefiçensë në punë, rrjedhje të informacionit, prishje të unitetit në radhët e policisë, mungesë profesionalizmi, mosarritje të rezultateve në luftën kundër llojeve të krimit". Sipas të njëjtave burime, ndryshimi i fundit në radhët e drejtuesve më të lartë në policinë fierake, nuk është gjë tjetër veçse mbajtja e premtimit të Ministrisë së Rendit për ngritjen e një Drejtorie Policie, që nuk do të konsistojë vetëm në ngritjen e godinës së re, por dhe në krijimin e strukturave shembullore të policisë në luftën kundër krimit. Pritet që ardhja e Sokol Kalanit në krye të policisë fierake, të shoqërohet me ndryshime të tjera dhe emra të rinj në këtë institucion. Ata do të bashkëpunojnë ngushtë me të në Drejtorinë e Qarkut, për të luftuar krimin dhe trafiqet e kundraligjshme, për të cilat Fieri është lakuar aq shumë. Gjatë kohës që Hasan Rama ka drejtuar efektivat blu të Drejtorisë së Qarkut Fier, ministri Toska ka lëshuar disa nga deklaratat e tij më të ashpra për policinë fierake, e cila është e paaftë për të luftuar trafiqet, "që rregullon uniformën në pasqyrat e makinave luksoze të kriminelëve apo njerëzve të inkriminuar". Po në këtë periudhë, kreu i dikasterit blu e ka cilësuar Fierin si vendin tranzit të trafiqeve, duke filluar nga droga, prostitucioni apo pastrimi i parave. Sakaq, mësohet se drejtori i ri i policisë së Fierit, Sokol Kalani, ka kryer detyrën e shefit të personelit në Ministrinë e Rendit. Ai u cilësua si një ndër specialistët më të mirë në luftën kundër kriminalitetit".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›