E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr për peshkun, tritol rezervatit

04/02/2005  Shoqërohet në Komisariatin nr.4 i gjithë fshati Gjokaj

Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka shkaktuar dëme mjaft të mëdha në rezervatin e Gjokajt. Ngjarja ka ndodhur ndaj të gdhirë të së djeshmes në fshatin pak kilometra larg kryeqytetit, kur sasia e eksplozivit buçiti në bazen, duke rrezikuar zhdukjen e rasatit të peshkut, që kultivohet prej vitesh në të. Policia shoqëron në Komisariatin nr.4 shumicën e banorëve të fshatit, për të zbuluar autorin e vendosjes së tritolit.

Shpërthimi

Zhurma e madhe e shpërthimit të tritolit nuk kurseu të linte pa gjumë gjithë zonën përreth rezervatit. Banorët e fshatit Gjokaj, që ndodhen më pranë tij, nxituan menjëherë andej nga erdhi buçitja dhe shpejt konstatuan dëmtimin e bazenit. Ata lajmëruan menjëherë forcat e policisë së Komisariatit nr.4. Furgoni i grupit të gatshëm të Komisariatit nr.4 dhe më pas inspektorët e antiterrorit dhe ata të policisë kriminale, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes. Burime nga ky dikaster shprehen se errësira i pengonte hetimet dhe mbledhjen e gjurmëve të autorëve. Mëngjesi i gjeti uniformat sërish atje për të kryer veprimet e para. Por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia nuk kishte arritur të gjente asnjë person të dyshimtë si tritolvënës. Ndonëse ishte i vetmi burim jetese për banorët e fshatit, rezervati i peshkut është kthyer në "mollë sherri" për ta. Burime nga Komisariati i policisë nr.4, bëjnë të ditur se tritoli që shpërtheu dje nuk është e vetmja tentativë e banorëve për të prishur bazenin me rasat. Sipas bluve, edhe pak kohë më parë, në Gjokaj, rezultoi se persona të paidentifikuar tentuan ta shkatërronin "ushqimin" e tyre. Anipse nuk u zbuluan ende agresorët, dëshmitë e mbledhura nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, thoshin se në fshat kishte plasur sherri se kush do të peshkonte në të. Por, grindja duket se nuk kishte përfshirë vetëm banorët e Gjokajt, por dhe zonës përreth, banorët e të cilës nuk ngurronin që hera-herës të hidhnin dinamit apo të zhytnin rrjeta për të kapur peshk.

Shoqërimet

Ngjarja ka marrë përmasa gazmore, kur në polici përfunduan shumica e banorëve të fshatit Gjokaj. Burimet saktësojnë se, ambientet e Komisariatit nr.4 janë tejet të ngushta për të pritur aq shumë vizitorë, që në rastin e djeshëm ishin të gjithë fqinj me njëri-tjetrin. Por, shoqërimet nuk kanë sjellë ndonjë fakt të ri, përsa i përket zbardhjes së ngjarjes. Shefi i Komisariatit nr.4, Bujar Laze, i kontaktuar në linjë telefonike me gazetën "Metropol", u shpreh se po punohet me intensitet për identifikimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të kësaj ngjarjeje. Ndonëse me këtë çështje po merret zyra e antiterrorit në Drejtorinë e Qarkut të Tiranës, strukturat e rendit po shkëmbejnë informacione mes tyre për t'i çelur rrugë zbardhjes së ngjarjes. Por, duket se autori i vendosjes së tritolit nuk ka qenë amator në ndërmarrjen e tij. Të tjera burime nga Drejtoria e Policisë, shprehen se në vendin e ngjarjes nuk ka gjurmë që të lenë të dyshosh për ndokënd konkret. Duke qenë se rezervati shfrytëzohej nga i gjithë fshati, nuk është habi që aty preheshin gjurmët e gjithë banorëve. Kësisoj është mjaft e vështirë të etiketohen të dyshuarit ai autorë. Aq më tepër, kur shpërthimet me tritol pak gjasa ka që të lenë shenja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›