E Hënë, 2 Nëntor 2026

Merr flakë magazina, digjet i gjallë endacaku

04/02/2005  Një shkëndijë elektrike ka marrë jetën e një njeriu dhe njëkohësisht ka shkaktuar shumë dëme materiale në magazinat e shoqërisë "ARMO" në Fushë-Mëzez. Burime zyrtare nga Ministria e Rendit, bëjnë të ditur se viktima quhet Adem Valiasi, endacak, i cili strehohej në ambientet e djegura.

Ngjarja

Ora 23.00 e mbrëmjes të së mërkurës shënoi rënien e një zjarri të madh në ambientet e shoqërisë "Armo". Rojet e objektit dhe banorët e Fushë-Mëzezit lajmëruan menjëherë forcat policore dhe ato zjarrfikëse, për të neutralizuar flakët që po përpinin ndërtesën. Burime nga Komisariati nr.4, bëjnë të ditur se u desh më tepër se 1 orë që situata të merrej nën kontroll. Pas largimit të zjarrfikëseve, grupi hetimor i Komisariatit nr.4 nisi hetimet për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit. Fillimisht u mendua për një vënie të qëllimshme për inate personale, por më pas hetimet morën një tjetër drejtim. Në një nga anekset e ndërtesës së "ARMO"-s, policia zbuloi trupin e shkrumbuar të një njeriu. Pranë tij dergjej një furnelë eketrike dhe disa rroba tërësisht të djegura. Duke u bazuar dhe në thëniet e rojeve e banorëve të zonës, u konstatua se kufoma i përkiste Adem Valiasit. I moshuari 68-vjeçar ishte një endacak, që strehohej në një kënd të magazinave gjatë dimrit, për t'u mbrojtur nga të ftohtët. Ai kishte ndezur një ngrohës elektrik për të sfiduar temperaturat e ulëta, por një pakujdesi i ka shkaktuar vdekjen. Dyshohet se, Valiasi duhet të ketë qenë në gjumë, kur në furnelë përfunduan disa rroba, të cilat u dogjën dhe shkaktuan zjarrin e madh. Trupi i pajetë i endacakut u dërgua në morgun e Tiranës për t'u ekzaminuar, ndërsa grupi hetimor përcolli në Prokurori dosjen mbi zjarrin e rënë në magazinën e firmës "ARMO".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›