E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, kaos në zyrën e shpërndarjes së pasaportave

Sërish kaos në zyrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike. Dita e hënë ka shënuar fluksin më të madh të aplikantëve për të marrë pasaportat e reja biometrike. Ndërsa të premten e kaluar, emigrantët në pritje prej ditësh për marrjen e pasaportave kanë “pushtuar” prefekturën, gjatë së hënës protestën e tyre ata e kanë zhvendosur përballë zyrave të tërheqjes në drejtorinë e policisë. Ndërkaq aplikuesit për dokumentet e reja nuk kanë kursyer akuzat për ryshfete. Sipas tyre u është kërkuar të paguajnë nën dorë 2-3 mijë lekë për ta marrë pasaportën jashtë radhe. Burime nga policia lokale konfirmojnë se ka pasur raste denoncimesh, por janë ende në fazë verifikimesh.
Ndërkaq qytetarët ankohen se kanë mbi tre javë që kanë aplikuar dhe ende nuk kanë arritur ta marrin pasaportën. Zyrtarisht nga zyra e shpërndarjes në Fier është deklaruar javën e kaluar se shkak për krijimin e radhëve të gjata është bërë mungesa e prodhimit të pasaportave të reja. Por me gjithë premtimet, situata mbetet e njëjtë. Dje kanë qenë mbi 300 qytetarë, kryesisht emigrantë, të cilët kanë pritur në sportelet e pasaportave për të marrë dokumentin në fjalë. Aplikuesit ankohen se janë kthyer mbrapsht nga pikat e kalimit kufitar të vendit tonë me vendet fqinje, pasi pasaportat e vjetra kanë dalë jashtë sistemit kompjuterik pas aplikimit që ata kanë bërë për pasaportat biometrike. Sipas tyre në këtë mënyrë po rrezikojnë vendet e punës. Dje, disa herë në sportelin e vetëm të shpërndarjes të pasaportave dhe kartave të reja të identitetit, është dashur ndërhyrja e forcave të policisë së rendit për mbajtjen e rregullit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›