E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kërkon zgjidhjen, momenti është delikat

Intervistë me sekretaren për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade

Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS, Arta Dade, analizon në një intervistë për “Shqip” zhvillimet politike dhe pozicionimit e ndërkombëtarëve për krizën.

Zj. Dade, prej takimit të Strasburgut, përveç nisjes së negociatave, publiku është informuar edhe rreth një afati dyjavor që është interpretuar si ultimativ. A është vënë realisht një ultimatum?

Shumë nga të interesuarit në zgjidhjen e krizës e kanë interpretuar edhe si ultimatum kërkesën e BE-së do të thosha, sepse janë përfshirë përfaqësues të Parlamentit Europian, si edhe komisioneri Fule. Pra, mund të quhet shumë mirë si kërkesë e BE-së për zgjidhjen e krizës në një periudhë dyjavore. Sigurisht kjo periudhë përkon edhe me Konferencën e Sarajevës, ku do të merren vendime shumë të rëndësishme, lidhur me Shqipërinë dhe Bosnjën sa u përket hapave për liberalizimin e vizave, por gjithashtu edhe për avancimin e axhendës europiane të të gjithë rajonit. është për këtë arsye që momenti në të cilën BE-ja ka kërkuar zgjidhjen, është delikat, serioz dhe shumë i rëndësishëm dhe pa dyshim që Shqipëria duhet të përfitojë për t’i dhënë fund kalvarit të krizës politike, e cila ka pasojat e veta edhe në funksionimin e institucioneve, pra mund të quhet shumë mirë edhe krizë e funksionimit të institucioneve, e shoqëruar edhe me krizën ekonomike. Padyshim që kjo situatë është në themel të normalitetit të jetës politike në vend, pa harruar këtu faktin që komuniteti ndërkombëtar bëri thirrje që klasa politike ta zgjidhë vetë këtë krizë. Po të bëjmë një retrospektivë të gjithë qëndrimeve të PS-së lidhur me krizën pas zgjedhore, unë besoj se ne kemi manifestuar pjekuri, sinqeritet për daljen prej saj. Kjo vërtetohet edhe nga fakti se ne kemi ofruar disa opsione, të cilat do të çonin në zgjidhjen e krizës; sigurisht në respekt të Kushtetutës, pasi në të gjithë përvojën e saj PS-ja nuk ka të regjistruar asnjë rast që të ketë konsumuar shkelje të Kushtetutës, apo të mos jetë udhëhequr në veprimtarinë e saj nga zbatueshmëria e legjislacionit në fuqi. Të gjitha alibitë për shkelje kushtetuese në kërkesat e PS-së bien edhe për faktin se nuk ka Kushtetutë që të pengojë transparencën. Kemi ardhur pra në momentin që PS-ja mbështet një formulë të ofruar me sa duket edhe nga interlokutorë të faktorit ndërkombëtar, e cila u materializua në momentin kur të dy liderët respektivë u ftuan në në një darkë pune për t’i dhënë fund krizës. Do të ishte shumë mirë në fakt që kjo situatë të merrte një zgjidhje edhe në Strasburg, sepse dihet që të dy liderët u shoqëruan nga ekspertë në takimet me përfaqësues të BE-së. Për fat të keq kjo nuk ndodhi dhe është kjo arsyeja që BE-ja ka lënë një periudhë 2-javore, duke vënë në dispozicion të klasës politike shqiptare edhe ekspertët që vijnë nga Komisioni Europian, por edhe nga Komisioni i Venecias, pra në një farë mënyre përfaqësohet edhe Këshilli i Europës, kur dihet që Komisioni i Venecias vepron nën okelion dhe kuadrin e Këshillit të Europës.

Në fakt është përmendur edhe fraza e “ngrirjes së procesit të integrimit”....

Elementi politik është shumë i rëndësishëm në të gjithë procesin e integrimit europian dhe ky kriter ka të bëjë me funksionimin e institucioneve demokratike, që sikurse u shpreha më lart nuk kanë funksionuar. Pra, deri sa nuk funksionojnë institucionet demokratike, do të thotë që Shqipëria nuk plotëson një nga kriteret që është ai politik. Por gjithashtu edhe konfliktualiteti në jetën politike, i cili ka marrë theksime të veçanta në të gjithë këto muaj pas zgjedhjeve të 28 qershorit është element i krizës politike. Kjo është një dukuri që nuk mund të mirëpritet nga ana e BE-së; këtu mjafton të kujtojmë progres-raportin e vitit 2008-2009 ku vlerësohet opozita shqiptare për zbutjen e konfliktualitetit, çka i parapriu integrimit të Shqipërisë në NATO. Me konsensus ne arritëm një sërë ecurish të rëndësishme, si për sa i përket këtij procesi shumë të rëndësishëm, ashtu edhe për reformën zgjedhore, ku dihet që PS-ja mori drejtimin e realizimit të saj, që në finale u miratua me konsensus dypalësh. Pra në momentet kur ka pasur bashkëpunim mes shumicës dhe opozitës dhe kur në këtë kuadër kjo e fundit solli një risi, ne e quajtëm politikë e re apo mënyrë e re e të bërit politikë, kjo është mirëpritur nga BE-ja. Në kushtet kur të gjitha marrëveshjet që ne arritëm në prag të zgjedhjeve u prishën në mënyrë të njëanshme nga ana e PD-së, kam parasysh Kodin Zgjedhor që u kalua me konsensus dhe që u braktis në nenin kyç të së drejtës së dy anëtarëve të KQZ-së për të kërkuar rinumërim, atëherë mund të merret me mend se kjo sjellje politike e kundërshtarit tonë përbën thelbin dhe rrënjën e konfliktit të mëtejshëm në politikën shqiptare që ka gati një 1 vit që ndodhet në krizë.

ç’do të thotë praktikisht “ngrirje e procesit të integrimit?

Praktikisht jemi në momentin që Shqipëria ka aplikuar për statusin e vendit kandidat, gjë të cilën ne e kemi mbështetur si opozitë përpara sesa mazhoranca të vendoste të bënte aplikimin. Kemi një thirrje që kryetari i opozitës, Edi Rama, bëri nga Brukseli që Shqipëria duhet të bëjë aplikimin, para se Berisha ta materializonte këtë gjë. Bëhet fjalë për diku nga shtatori i vitit 2008. Në këtë kuadër me siguri që do të ketë një lloj stepje nga ana e BE-së për të dhënë mendimin lidhur me ecurinë e proceseve demokratike në Shqipëri. Së dyti, duan të lidhin liberalizimin e vizave me situatën aktuale; këtu dua të nënvizoj se dhënia e mendimit për procesin e heqjes së regjimit të vizave është një çështje thjesht teknike, që ballafaqon arritjet e Shqipërisë me standardet e kërkuara sipas blloqeve që tashmë janë bërë publike, por ndoshta edhe në këtë aspekt mund të kemi një stepje të dhënies së mendimit. Ashtu sikurse është konstatuar në letrën që dy liderët e grupeve respektive në Parlamentin Europian, z. Shultz dhe z. Daul, i pari i grupit të demokratëve dhe socialistëve dhe i dyti i partive popullore, është e pamundur të jepet një opinion për ecurinë e mëtejshme të proceseve demokratike nëse situata nuk zhbllokohet. Pra në një farë mënyre është një kujtesë që u bëhet liderëve shqiptarë që do të ishte e pamundur të jepej një mendim pozitiv lidhur me ecurinë e proceseve integruese në BE nëse kriza nuk do të zgjidhet. Kjo është interpretuar si një ultimatum i dhënë nga këta aktorë shumë të rëndësishëm. Por merr një tjetër kuptim kur dihet se pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Parlamenti Europian fiton një peshë të re edhe në vendimmarrjen e Bashkimit Europian.

Zj. Dade, ju keni shumë vite në politikë. Jeni realisht optimiste se negociatat do të ofrojnë një zgjidhje kur përballë qëndron Kryeministri aktual?

Nëse do të kishim një lider të shumicës, e cila do të kishte një vizion tjetër, qoftë edhe për proceset integruese, kriza do të ishte zgjidhur. Nëse zgjedhjet kanë qenë realisht të lira dhe të ndershme, padyshim që transparenca për procesin zgjedhor do të ishte bërë që në shtator apo tetor, kur opozita e ka kërkuar këtë gjë duke vendosur edhe një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Për fat të keq kemi të bëjmë me një Kryeministër që jo vetëm nuk ka qenë asnjëherë faktor inkurajues për proceset e integrimit në BE, por në mjaft momente ka qenë faktor frenues. Kujtoj këtu zgjedhjet e vitit 1996, kur Shqipëria ishte shumë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje për hapjen e negociatave për t’u integruar në BE dhe për shkak të asaj që ndodhi me procesin elektoral, vendi ynë mbeti 10 vjet pas në këtë drejtim. Pasi dihet që me ngjarjet e 1997-s, ne na u desh ta fillonim çdo gjë nga niveli poshtë zeros. Pra me një Kryeministër që pretendon se respekton Kushtetutën dhe nuk e lejon kjo e fundit që të bëjë transparencën e procesit zgjedhor, padyshim që edhe zgjidhja e kësaj krize është vështirësuar, është shtyrë në kohë; nëse Berisha e ka bërë këtë për të fituar 10 muaj përsëri mbetet një shteg për optimizëm në arritjen e një marrëveshjeje, por unë nuk besoj se ky është rasti. Unë besoj se Sali Berisha që ka shkelur Kushtetutën deri në 30 herë gjatë 5 vjetëve të qeverisjes së tij, nuk mund të vazhdojë të kapet me thonj pas alibive të tilla. Me presionin pozitiv që i është bërë tashmë nga BE-ja shpresoj që t’i thërrasë ndërgjegjes së tij edhe asaj të një politikani me përvojë dhe ta zgjidhë këtë krizë në të mirë të vendit dhe jo në të mirë të tij apo partisë që drejton. Sepse nëse kjo situatë zhbllokohet duke mbajtur parasysh interesat e vendit, atëherë dalin të fituar të gjithë, PS-ja edhe PD-ja. Madje PD-ja si drejtuese e qeverisë, mban përgjegjësinë më të madhe për sa i përket fatit dhe avancimit të axhendës europiane të Shqipërisë. Ne përgjegjësinë tonë e kemi manifestuar duke ofruar shumëçka për zgjidhjen e situatës; kujtoj këtu seancën e 18-19 marsit, ku ne avancuam me dy projektligje që u hodhën poshtë në mënyrë të njëanshme pikërisht nga kjo mazhorancë. është momenti që Sali Berisha duhet të manifestojë përgjegjshmëri dhe respekt për opozitën, por në radhë të parë ai duhet të manifestojë përgjegjshmëri në marrëdhëniet e tij me BE.

është folur për përshkallëzim të mëtejshëm nëse bisedimet nuk do të japin rezultat. Konkretisht si do të ndërtohet aksioni opozitar dhe çfarë mund të ketë përtej grevës së urisë?

Nëse kriza nuk do të zgjidhet, ne do t’u rikthehemi të gjitha formave demokratike të protestës sikurse kemi bërë në të gjithë këta muaj. Ju e keni konstatuar që ka një armëpushim, të cilin PS-ja po e respekton; ne ndërpremë grevën e urisë, edhe pse ajo e arriti qëllimin për të cilin u organizua, derisa interlokutorë në zgjidhjen e krizës janë bërë personalitete të rëndësishme të BE-së dhe të KE-së, të cilët sigurisht përveç punëve shumë të rëndësishme që kanë po merren edhe me situatën në Shqipëri, që tregon interesin ndaj vendit tonë. Por kjo gjë flet edhe për bindjen e krijuar në Bruksel se nuk e zgjidhnim dot vetë krizën dhe ne kemi marrë një minus nga ana e faktorit ndërkombëtar. Kur them ne, kam parasysh Shqipërinë dhe çfarë rëndësie ka nëse Shqipëria qeveriset nga PD-ja apo nga PS-ja. Kur ne kemi qenë në shumicë, kujtoj kompromisin e madh të vitit 2002, kur Sali Berisha ngriti kontestimet për zgjedhjet e 2001-shit, ne dhamë kompromisin e madh nga i cili vetë Sali Berisha ishte përfitues, pasi Saliu propozoi Presidentin dhe Prokurorin e Përgjithshëm përveç balancimit të të gjitha institucioneve si KKRT. U arrit pra një marrëveshje, nga e cila opozita e asaj kohe përfitoi. Për fat të keq ky standard që u arrit atëherë, me ardhjen në pushtet të Sali Berishës është zhbërë. Sikur këtë sjellje politike të dëshmonte Kryeministri i tanishëm, është e qartë se kriza politike nuk do ishte thelluar.

Zj. Dade, në kontekstin e konstatimeve tuaja për situatën si mund të hyjë atëherë PS-ja në zgjedhje kur në krye të qeverisë qëndron një Kryeministër që nuk respekton sipas jush ligjin dhe Kushtetutën?

Unë uroj që të mos vijmë në momentin që Shqipëria duhet të hyjë në zgjedhje nëse nuk zgjidhet kriza. Uroj që të arrihet kompromis që tashmë mbështetet edhe nga ndërkombëtarët, pasi nëse Shqipëria do t’u drejtohet zgjedhjeve të parakohshme, sigurisht që do të kemi një situatë cilësisht të re dhe padyshim që do të kemi taktika të tjera nga ato që kemi aplikuar deri më tani.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›