E Diel, 1 Nëntor 2026

Të premten, Internacionalja Socialiste, takim në Tiranë

Komiteti

Qëndrimet e opozitës socialiste rreth zgjedhjeve të 28 qershorit dhe krizës aktuale do të kenë një mundësi të re për t’u emetuar në mjedise të politikës ndërkombëtare. Ditën e shtunë pritet të mbahet në Tiranë një takim i Komitetit për Europën Juglindore të Internacionales Socialiste, bashkëkryetar i të cilit është edhe kreu i selisë rozë, Edi Rama. “Zhvillimi i demokracisë në Ballkan” është tema e takimit, i cili do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë krizës politike në Shqipëri, që buron nga kontestimi i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Bëhet e ditur se referimin qendror për këtë çështje do ta mbajë Edi Rama që gëzon jo vetëm statusin e kreut të Komitetit, por edhe të protagonistit të situatës aktuale në Shqipëri në vështrim të kërkesave të opozitës për transparencën elektorale. Ndërkohë, pjesëmarrës në këtë aktivitet do të jenë kryetarët e partive socialiste dhe socialdemokrate të rajonit, bashkëkryetari bullgar i Komitetit, ish-kryeministri Sergei Stanishev, si dhe sekretari i përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ajala. Duhet nënvizuar se takimi ka një rëndësi të dorës së parë jo vetëm pse përkon me fazën e negociatave që zhvillohen mes palëve në Shqipëri, por sepse aty selia rozë ka një mundësi të re për të informuar hollësisht aleatët e vet të majtë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›