E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga pa sukses, mbi 10 denoncime të reja në polici

Hetimet Policia bën apel për mosaplikim, në pamundësi për të luftuar skemën piramidale

Denoncime të reja i janë drejtuar policisë për mashtrime në skema piramidale, që mendohet se vijnë nga aktiviteti i dy kosovarëve, të cilët u arrestuan në fillim të këtij muaji. Mbi dhjetë persona të ndryshëm kanë kallëzuar penalisht njerëz të ndryshëm, duke e detyruar policinë që të kërkojë vëmendje nga qytetarët, për të mos rënë pre e tyre. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë rikthyer edhe njëherë në vëmendje deklaratën, me anë të së cilës kanë informuar opinionin publik mbi finalizimin e operacionit policor të koduar “Rruga pa sukses”, në kuadër të të cilit u arrestuan nën akuzën e kryerjes së veprës penale të mashtrimit dy persona, që janë aktualisht janë ende me masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndërkaq, qytetarë të tjerë kanë rënë pre e mashtrimeve, kështu që kanë kërkuar ndihmën e policisë, duke denoncuar pranë organeve përkatëse. Në përgjigje të tyre, policia tha se me keqardhje konstatohet që edhe pse janë njoftuar qytetarët për këtë veprimtari të paligjshme, duke i ftuar ata që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien viktimë e mashtrimeve të këtij lloji, ende persona të ndryshëm vazhdojnë të mashtrohen nga njerëz të tjerë, që kanë lidhje me individë të arrestuar dhe po paguajnë të njëjtat shuma në Shkup të Maqedonisë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u bën dhe një herë apel qytetarëve që të mos bien viktimë e kësaj skeme, që do të çonte në humbjen e parave të tyre dhe për më tepër të mos ftojnë persona të tjerë për t’i anëtarësuar në këtë shoqëri, duke u kthyer nga viktima, në pjesë dhe bashkëpunëtorë të kësaj skeme mashtrimi, por t’i denoncojnë ato pranë Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›