E Diel, 1 Nëntor 2026

Poliçan, hetim kryebashkiakut



POLIçAN/ DILAVER XHELILI

Kreu i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotka, përfundon në polici pasi në bashkëpunim me vëllain e tij akuzohet për rrahjen e një bashkëqytetari.Incidenti mori përmasa politike, jo vetëm për faktin se i dhunuari Lake Shkëmbi është anëtar i LSI- së, por pasi në këtë qytet mbërritën dy deputetët e PS-së, Fidel Ylli dhe Erion Braçe, të cilët organizuan një protestë në mbështetje të Zotkës. Protesta e kishte zanafillën në incidentin e ndodhur rreth orës 18:30 të së enjtes, në shëtitoren që ndodhet në qendër të qytetit të Poliçanit. Sipas policisë, dy vëllezërit, Adriatik dhe Artur Zotka kanë goditur me mjete të forta 54-vjeçarin, Lake Shkëmbi. Ky i fundit, pas ngjarjes e cila ka pasur edhe dëshmitarë, ka kryer kallëzim në komisariatin e Poliçanit. Pasi morën deklaratën e plotë të të dëmtuarit, efektivët e policisë u nisën drejt banesës së Zotkës, me qëllim shoqërimin e tij. Por furgoni i policisë u kthye bosh, pasi kryebashkiaku rezultoi se nuk kishte shkuar fare mbrëmjen e së enjtes në banesën e tij. Sipas burimeve, kreu i Bashkisë kishte sinjalizuar për ngjarjen e ndodhur deputetët e qarkut të Beratit, të cilët u nisën dje që në mëngjes në drejtim të Poliçanit në mbrojtje të Zotkës. Kjo pasi policia fillimisht e shpalli në kërkim kreun e Bashkisë dhe vëllain e tij, duke i akuzuar ata për “plagosje të lehtë me dashje në bashkëpunim”, si dhe “kryerje e veprimeve arbitrare”. Policia e Beratit bëri të ditur në komunikatën zyrtare se: “ka nisur procedimi në ngarkim të shtetasve, Adriatik Zotka dhe Artur Zotka, për arsye se rreth orës 18:30 të datës 22.04.2010, në vendin e quajtur ‘Shëtitorja’, në qendër të Poliçanit, kanë goditur me mjete të forta për motive të dobëta shtetasin Lake Shkëmbi. Materialet iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprat penale “plagosje e lehtë me dashje në bashkëpunim”. Shtetasi Adriatik Zotka, përveç veprës së mësipërme, do të ndiqet edhe për ‘kryerje të veprimeve arbitrare’”. Mësohet se pas ngjarjes, kreu i Bashkisë së Poliçanit është larguar, por dje ai është paraqitur vetë në komisariatin e policisë, para se të bëhej protesta e banorëve, e cila ishte organizuar nga deputetët dhe përfaqësuesit e PS-së në këtë qytet. Burime të policisë bënë të ditur se Zotka ka mohuar të ketë goditur shtetasin që e denoncoi atë për dhunë. Por provat e siguruara, dëshmia e të dëmtuarit, por edhe të disa dëshmitarëve, ka bërë që policia t’ia përcjellë dosjen me dy akuzat e mësipërme prokurorisë. Sipas burimeve, Zotka me të vëllain e kanë goditur 54-vjeçarin duke e akuzuar këtë të fundit se kishte thyer pemët e mbjella nga ana e bashkisë. Të njëjtat burime bënë të ditur se Shkëmbi ka mohuar në polici faktin se ai ka thyer pemët, ashtu sikurse edhe është akuzuar nga kryebashkiaku. Deputetët Ylli dhe Braçe u bënë thirrje qytetarëve në protestën e djeshme të bashkohen më 30 prill në Tiranë. Ndërsa vetë Zotka u shpreh se: “Jemi mbledhur spontanisht për të dënuar dhunën, provokimet dhe varfërinë e kësaj Qeverie. Ju po e shikoni se në këtë qytet çdo ditë e më shumë po hiqen fonde për shkolla, për shëndetin publik, për rrugët”, u shpreh ai. Zotka akuzoi policinë e cila, sipas tij, i kishte terrorizuar familjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›