E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëria e sotme e ka bërë shqiptarin të flasë me veten

Ndini R. BARDHI
Varfëria e njeriut është pikënisje e ndëshkimeve fatale të rrënimit të fatit në këtë jetë njerëzore. Njeriu i varfër do të parën gjë bukën, sepse në stomakun e tij ka urinë. E gjithë qenia e tij dridhet e përdridhet, është e pandjeshme ndaj çdo dhimbjeje të jashtme, sepse i ka hyrë në shpirt dëshpërimi dhe zymtësia e jetës së uritur. Është pjesëtar i shoqërisë njerëzore, e cila e shikon të uritur, por nuk i përgjigjet për asgjë, qoftë për punë ose për mëshirë. A mund të jetojë njeriu kur ka uri?! Le të vazhdojmë të themi të vërtetën!
Njeriu i thjeshtë dhe i varfër në popull është njeri i mirë si gjithë të tjerët, kërkon ta jetojë jetën e dhënë nga Zoti, kërkon punë dhe ekzistencë, kërkon lirinë dhe drejtësinë njerëzore, kërkon të paktën e mundshme për një jetë normale. Në dukje të jashtme të jep përshtypjen e një njeriu të paditur, por, kur futesh në botën e tij të brendshme zbulon një zgjuarsi natyrore të çuditshme, që të bën për vete. Drita e mençurisë se natyrshme qëndron tek ai e ndezur brenda tij, sepse e merr nga gjeneratori energjidhënës i jetës së përditshme. Jeta e njeriut i ka të gjitha shfaqjet e saj të kënaqësisë, lumturisë, parajsës së paparë etj. me ndriçimet e tyre të përkohshme, por ka me shumicë vuajtje, drama, padrejtësi, varfëri, që ia bëjnë jetën njeriut të padurueshëm dhe të mjerueshme. Kjo e fundit e bën njeriun të struket në vetvete me ndërgjegjen e tij dhe të mendojë thellë e më thellë për jetën, për veten, për familjen dhe për të tjerët. Varfëria i ngjan një nate pa hënë, por. edhe kur e ka hënën, ajo përsëri nuk të ndriçon mirë. Varfëria e bën njeriun si njeri të pavlerë, të paditur, kur në qenien e tij e ka zgjuarsinë e Zotit, e bën të hajë vetveten, e bën të gjykojë veten dhe të tjerët, të gjykojë shoqërinë, sistemin e kapitalit dhe qeverisjen antinjeri. Njeriu i ndershëm shqiptar, ecën me këmbët e tij drejt së mirës, përpiqet të ndërtojë jetën individuale me ndershmëri dhe me dinjitet njerëzor. E pranon se është i varfër, por edhe i pafajshëm, dhe për këtë është i dënuar padrejtësisht. E pohon vetveten deri aty sa të thotë, se nga uria dhe varfëria mund të kryejë një veprim të dëmshëm si për veten time, por edhe për të tjerët, se njeriu për atë copë bukë nuk do të kishte kursyer as jetën dhe çdo gjë tjetër. Por, njeriu i fortë nuk do ta bënte këtë sakrificë sublime, sepse do të gjente një njeri bujar që do ti jepte një copë bukë dhe ndihma të tjera ushqimore qoftë nga mëshira, qoftë nga puna. Njeriu, në këtë jetë, dhe për këtë është shumë i qartë, se ka lindur që të vuajë e të sakrifikojë shumë, moralisht dhe fizikisht, por pa arritur gjer në atë pikë sa të vdesë nga uria apo për një copë bukë. Varfëria në anën tjetër të bën edhe shumë të fortë si njeri, sepse të kalit durimin dhe shpirtin. Kjo do të ishte një model edhe për fëmijët e varfër, që ecin po me fatkeqësinë e tij, qofshin edhe fëmijët e tij. Njeriu i varfër dhe i ndershëm, fatkeq dhe i pafuqishëm, për të dalë nga mjerimi shpirtëror dhe ekonomik, preferon të zgjedhë sakrificën dhe luftën me jetën, të zvarritet sa me këmbë e me duar sesa të vjedhë e të bëjë krime ndaj të tjerëve; se, kjo rrugë, ngado që ta kthejë, është për të një zgjedhje e keqe për të dalë nga varfëria dhe, më tej. e çon në llumin e turpit, sepse, në fund të fundit, ska të drejtë të vjedhë të tjerët dhe pikë. Lind pyetja e protestës dhe e dëshpërimit te njeriu i varfër: A mund të jetosh kur ke uri, kur ske bukë e kur ske punë? Njeriu i pashpresë rrotullohet rreth vetes dhe, hera-herës, pyet veten: Por, a mos jam i paaftë të jetoj, të punoj e të gjej veten në këtë jetë fatale? Është punëtor dhe e do punën, është i pakursyer në çdo lloj pune, por ku ta gjejë? E kërkon çdo ditë te Ushtari i Panjohur në mes të Tiranës, me vegla pune në kurriz, i gatshëm të bëjë çdo punë, vetëm punë të jetë, për të nxjerrë bukën e gojës. E quan një gjë të rëndë, se si burri të mos ketë punë të ushqejë veten dhe familjen e tij. Ndëshkimi është i pashpirt dhe i padrejtë për njeriun punëtor, të ndershëm dhe të pafajshëm. Njeriu i sotëm shqiptar, sidomos ai i shtresës së thjeshtë popull, pyet vetveten nëse koha, sistemi kapitalist i sotëm, qeveria, shoqëria etj. e kanë bërë anëtarin apo shtetasin e vet të vuaj në mënyrë të padrejtë varfërinë ekstreme që ekziston në realitetin shoqëror shqiptar. Njeriu, nga varfëria, po ta shikojmë në rrugë e kudo, është përçudnuar dhe flet me vete, sepse është i mbërthyer nga mungesa e punës, e bukës dhe në kurriz ka ndëshkimin e jetës së përditshme të varfërisë. A është e drejtë dhe njerëzore që shoqëria e sotme ti trajtojë njerëzit dhe problemet e saj në të varfër dhe në të pasur ekstrem, në ndarjen e të këqijave dhe të mirave, që i prodhon po vetë ajo? Dhe më tej, në rrjedhshmëri të jetës njerëzore nuk kujdeset për ata njerëz, individë, komunitet, që meritojnë më shumë përkujdesje dhe mbrojtje të saj ekonomike e çdo gjë tjetër. I varfëri, kushdo qoftë, e bën këtë pyetje padrejtësie dhe përpiqet ti japë zgjidhje me aq sa mundet, por akuzën dhe protestën ndaj shoqërisë, individit, qeverisjes e mban të ngritur për ta gjykuar, dhe më tej, për ta dënuar. E dënon, sepse brenda vetes ka dëshpërimin dhe urrejtjen. E bën shoqërinë dhe realitetin e dhimbshëm përgjegjës për fatin e tij sepse po vuan skamjen, urinë e bukës, dramën shpirtërore dhe krimin e pasigurisë për jetën e përditshme. I urituri nuk bën llogari, moral, politikë për të tjerët, veç llogarisë së tij për jetën, sepse ndëshkimi i tij është padrejtësi dhe indinjatë edhe për shoqërinë. Njeriu me këtë fat, ka në portretin e tij, dhe këtë e shikojmë përditë, të vizatuar luftën e çmendur dhe inatin e jetës fatkeqe; me një shikim provokues ndaj tij ose me dashamirësi njerëzore mund të pezmatohet pa ndonjë shkak; sepse në themel të shpirtit ndien veten e tij të sakatosur dhe indinjatën e varfërisë. Çdo ditë shpreson për jetën dhe ekzistencën e vet. Shoqëria njerëzore e sotme shqiptare, për fat të keq, është e mbushur veçse me të këqija, e prekur gjithandej shpirtërisht, moralisht e materialisht. Tek ajo s ke ç gjen më shumë se fytyra të zemëruara. Njerëzit e thjeshtë popull, kur i shikon, të prekin shpirtin e të hapin plagë. Çdo shfaqje mjerimi është një goditje për çdo njeri. Syri nuk të shikon një fjalë miqësore dhe një vështrim dashurie. Njeriu, ecën nga vuajtja në vuajtje dhe në këtë ritual të jetës bindet dhe ngushëllohet se jeta na qenka luftë; dhe se në këtë luftë po ky njeri është fatkeqi i ditës, gatuan në shpirtin e tij varfërinë, skamjen dhe urrejtjen. E do jetën e vërtetë njerëzore, për ta jetuar si njeri, me drejtësi dhe dinjitet. Ndonëse i varfër, diturinë, shkollën dhe profesionin i merr me shumë vullnet, sepse duke ditur sa më shumë, bëhet më i fortë, për jetën. Arsimi dhe dituria ndriçojnë shpirtin e lodhur, mbushin jetën me mirësi njerëzore, dhe më tej, e vlerëson jetën ashtu siç i ka ardhur dhe e quan si gjënë më të shtrenjtë për ta jetuar. Jeta në këtë botë njerëzore vetëm një herë vjen e jo dy herë.
Njeriu si vetvete dhe pjesëtar i shoqërisë përjeton varfërinë, skamjen, të keqen në këtë realitet padrejtësish njerëzore dhe ekonomike dhe, për të gjitha këto, gjykon individin, shoqërinë dhe qeverinë, e pse jo, edhe Zotin që i ka krijuar. Në këto vite demokracie në Shqipëri pjesa më e madhe e popullit ka hequr dhe vazhdon të heqë tortura varfërie, goditje shpirtërore, kriza ekonomike dhe pasigurie për jetën. Askush nuk mendon dhe asgjë sbëhet për njeriun dhe për të. Shpirti i njeriut ecën me dëshpërimin e varfërisë, herë-herë shpërthen e herë-herë tulatet, e më tej ndriçohet si një qiri, e në anën tjetër pllakoset në errësirë. Shqiptari është njeri shumë i mirë, i ngrohtë, i durueshëm, i sakrificës për vete dhe për të tjerët, nuk është i keq nga natyra njerëzore. Është, edhe sot, në këtë varfëri, akoma më i mirë. Fenomeni i skamjes, mizerjes varfëri ia trondit jetën, ia shkatërron shpirtin dhe e ndien çdo ditë se po bëhet i keqi i vetes dhe i të tjerëve; e dënon këtë realitet të dhimbshëm. Të gjithë e shikojnë se si para syve tanë endet mjerimi, njerëzit flasin me vete dhe të shikojnë me sytë të çakërdisur dhe janë gati të kacafyt

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›