E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri- Mal i Zi, operacione të tjera antidrogë

Një javë pas operacionit të përbashkët të policisë malazeze dhe asaj shqiptare që çoi në qeli 25 persona për trafik droge, ka detyruar kreun e Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, të udhëtojë drejt Malit të Zi për tu takuar me homologun e tij.

Takimi i Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, me homologun e tij malazez, Veselin Veljoviç, u zhvillua ditën e djeshme në ambientet e Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi dhe kishte si qëllim konfirmimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit policor ndërmjet dy vendeve.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se pas këtij takimi pune, dy krerët e policive të dy vendeve zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp duke u nisur nga operacioni i përbashkët i zhvilluar ndërmjet Policisë Shqiptare dhe asaj Malazeze më datë 26 shkurt i cili u finalizua me arrestimin e 25 personave dhe u kap një sasi e konsiderueshme droge.

"Bashkëpunimi ynë konsiston në operacione dypalëshe dhe patrulla të përbashkëta ndërkufitare, të cilat dhanë rezultatet e tyre tepër efiçente në goditjen e rrjetit kriminal, ku u arrestuan 25 persona dhe u kap një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike",-deklaroi gjatë konferencës për shtyp Drejtori i Përgjithshëm i Malit të Zi.

Ndërsa numri një i policisë shqiptare, Ahmet Prençi, pasi falënderoi dhe vlerësoi strukturat e policisë të Malit të Zi për bashkëpunimin në operacionin për shkatërrimin e këtij grupi kriminal dhe arrestimi i 3 punonjësve të policisë malazeze.

"Ky operacion ishte një provë që tregoi vullnetin e përbashkët, si dhe kapacitetet profesionale të dy policive fqinje për t'i shërbyer komunitetit. Vazhdimësia e operacioneve të ngjashme do të thellohet dhe më tej në të ardhmen për menaxhimin perfekt e të integruar ndërkufitar" deklaroi Prençi. K. Kotorri

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›