Prishet TIMES-i, kufiri rinis punën me regjistrat
Sistemi Times prej më se një javë ka dalë jashtë funksionit duke krijuar avari në pikat e kalimit kufitar dhe në punën e policisë.
Në të gjithë vendin sistemi Times ka pësuar një defekt dhe nuk funksionon ndërsa ende nuk dihet sa do të zgjasë afati për rikthimin në punë të sistemit i cili ka krijuar jo pak telashe në punën e policisë pasojat e të cilave i vuajnë edhe qytetarët.
Burime nga policia thanë se bllokimi i sistemit Times ka rikthyer punonjësit në pikat e kalimit kufitar të kryejnë procedurat duke përdorur regjistrat gjë e cila vonon udhëtarët. Për të verifikuar personat që kalojnë në pikat e kalimit kufitar, punonjësit prej më shumë se një javë po përdorin telefonat dhe faxet me anë të cilave lidhen me punonjësit e policisë për të saktësuar nëse kanë të bëjnë me persona të kërkuar.
Nga ana tjetër, edhe nëpër drejtoritë e policisë në qarqe apo komisariate nuk funksionon sistemi Times duke bërë që oficerët të kryejnë procedurat me të shoqëruarit nëpërmjet Faxit. Ndërkohë që mungesa e sistemit Times ka krijuar kaos edhe në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas ku në ditë hyrje-daljet arrijnë në qindra udhëtare.
Burimet policore thanë se punonjësit po kryejnë procedurat ashtu si disa vite më parë duke përdorur regjistrat. Puna me regjistër dhe verifikimet me telefona e Faxe ka rikthyer radhët edhe në aeroportin e Rinasit.
Megjithëse mungesën e sistemit Times, punonjësit në pikat e kalimit kufitar edhe të aeroportit e Rinasit, përpiqen të mos përfitojë nga situata personat e kërkuar të cilët tentojnë të hyjë në vendin tonë apo të largohen jashtë shtetit.