E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes interesave dhe papërgjegjshmërisë

Martin Leka 

Ajo që kanë parë e dëgjuar  këto ditë kryeqytetasit, është mes të pabesueshmes. Kemi të bëjmë me dy ngjarje apo lajme të cilat kanë në qendër të tyre kryebashkiakun e Tiranës për “ekzekutor”, por edhe bashkëpunëtorë të tjerë, përfshirë edhe kryeministrin e vendit.
Fjala është për dy projekte që kanë të bëjnë me dy klubet më në zë të futbollit kryeqytetas e kombëtar, “Dinamo” e “Partizani”. Në fakt, nuk bëhet fjalë për lojë apo për shitje ndeshjes, por për një tjetër maskaradë, atë të shitjes e tjetërsimit të pronave të këtyre klubeve. Pa pritur e pa kujtuar, pa kurrfarë transparence, përmes mediave, qytetarëve tiranas iu bë me dije se kompleksi “Dinamo”, i shtrirë në një sipërfaqe të madhe të gjelbër përballë digës së liqenit artificial të Tiranës, do të tjetërsohet. Madje, kjo u bë e ditur përmes një konkursi ndërkombëtar për projektin në fjalë. Për ata që nuk e dinë, ky kompleks është mjaft çlodhës e argëtues. Aty ka fushë futbolli, fusha tenisi, basketbolli e volejbolli. Aty është edhe një kënd lojërash për fëmijë dhe pishina, çka e bëjnë mjedisin mjaft tërheqës. Tani ky vend nuk do të jetë më kështu siç është. Për pak kohë, këtu do të mbizotërojë zhurma, pluhuri dhe dherat dhe të shohim se ç’do të dalë më pas. Sigurisht, në piktura projektet të gjitha nuk është se duken keq. Madje, kurrsesi nuk mund të paragjykojmë një studio projektimi prestigjioze, e cila është krejt e pafajshme përballë papërgjegjshmërisë së administratorëve dhe politikanëve tanë.
Po ku qëndron problemi i papërgjegjshmërisë atëherë? Qëndron pikërisht te mungesa e transparencës, çka lë vend për paragjykime dhe afera. Nuk do shumë kohë e mund për të verifikuar diçka të tillë. Mjafton të dilni një xhiro pasdite apo në mbrëmje nga kompleksi “Dinamo” dhe të pyesni banorët se si ndihen dhe çfarë thonë.
Problem i dytë, por i lidhur me të parin për nga morali, interesat dhe papërgjegjshmëria, ka të bëjë me klubin “Partizani”. Eshtë botuar dje në shtyp një faksimile e një shkrese të nënshkruar nga kryetari i Bashkisë, Rama, në të cilën ambiente të këtij kompleksi u jepen disa banorëve, mes të cilëve figuron edhe emri i dhëndrit të kryeministrit.
Pikërisht emri në fjalë ka cytur interesin mediatik. Kjo në fakt përbën objekt morali e analize të gjerë të asaj që po përvijohet gjithnjë e më qartë si bashkëpunim e marrëveshje mes Ramës e Berishës. Duke parë akte të tilla, kujtdo i lind e drejta e dyshimit se në këtë mes, në këtë lojë politike, ka sigurisht dhe aferë korruptive interesash. Pa paragjykuar emra konkretë, duke e parë vetëm si moral politik për ta lënë në dorë të socialistëve për gjykim këtë sjellje të kryetarit të tyre, unë po e ngushtoj problemin në parim: pse jepen leje të tilla e tjetërsohen prona publike?!...
Kjo pra është çështja. Kalimi me shpejtësi i ligjeve që duket qartë se kanë për objekt pikërisht këto prona publike, tregon qartë kapjen e shtetit, të shtetit të pozitës dhe opozitës, korruptimin e liderëve për interesa private.
Këto dy lajme që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronave publike të dy prej klubeve sportive më me emër të Tiranës, ku siç e theksua edhe më sipër në njërën prej tyre figuron edhe emri i njërit prej të afërmve të kryeministrit, kanë të drejtë për këdo të gjykojë e paragjykojë qoftë kryetarin e Bashkisë e të PS-së, qoftë kryeministrin e kryetarin e PD-së. Pas kësaj, kushdo ka të drejtë të mendojë se që këtej, nga këto afera burojnë edhe marrëveshjet politike, të cilat ndërsa mohohen nën zë nga zëdhënës, praktikisht ekzistojnë.
Rasti i ndryshimeve kushtetuese, ku kryeministri mori me ndihmën e PS-së ato kompetenca që nuk arriti dot t’i merrte me vota, tregon qartë se përtej politikës së re, përtej të majtës dhe të djathtës, përtej luftës kundër korrupsionit, qëndrojnë pikërisht interesa korruptive, të cilat nuk duan t’ia dinë për asgjë, pa le pastaj për hapësira të gjelbra…   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›