Fier, minjtë pushtojnë lagjen Apolonia, qytetarët frikë nga epidemitë
Minjtë pushtojnë qytetin e Fierit, ndërsa qytetarët ngrenë zërin për më tepër kujdes. Një situatë kaotike është vënë re ditët e fundit në qytetin myzeqar, ku shumë minj kanë pushtuar lagje e blloqe pallatesh. Rritja e menjëhershme e temperaturave, ka bërë që gjallesa të shumta të dalin nga strofkat e tyre duke mbushur sheshet dhe oborret, por duke përhapur frikë e panik tek qytetarët. Pikërisht në lagjen Apolonia fare pranë qendrës së qytetit, koloni me minj kanë zaptuar sheshet përpara pallateve duke u kthyer në makthin e fëmijëve e të rriturve.
Ka më shumë se dy ditë që nga bodrumet e pallateve dhe godinat private dalin minj që na frikësojnë shumë. Nuk kemi frikë se do të na hanë, por i trembemi sëmundjeve që mund të mbartin këta brejtës të rrezikshëm. Vetë jemi munduar që të marrim helme dhe ilaçe që shiten në treg, por mesa duket ato nuk janë aspak efikase tek minjtë, shprehet e trembur Liliana, një banore e lagjes Apolonia, e cila ka shtuar se përditë e më shumë i trembet rrezikut të përhapjes së ndonjë epidemie. Brejtësit, sipas banorëve, dalin kryesit në orët me temperaturë më të lartë dhe strehohen në hyrjet e pallateve, madje ka pasur raste që janë futur edhe brenda në shtëpi. Banoj në katin e parë të një pallati. Fare pranë kam një bunker të sistemit të kaluar, i cili është kthyer në një vendstrehim për minjtë. Më shumë se katër herë kam gjetur minj në shtëpinë time, dhe jam frikësuar shumë. Më kanë shkatërruar elektroshtëpiaket dhe për ti larguar kam lëvizur të gjitha orenditë e shtëpisë. Situata është shqetësuese dhe duhen marrë masa të menjëhershme, shton e shqetësuar, një tjetër banore e lagjes së pushtuar nga minjtë. E ndërsa qytetarët shprehin shqetësimin e tyre, bodrumet poshtë pallateve, bunkerët e vend depozitimet e inerteve janë kthyer në streha të sigurta jo vetëm për minjtë, por edhe për insekte e kafshë të tjera. Ndërkohë, pas interesimit tonë për këtë problem në Bashkinë e Fierit, përgjegjësi i zyrës së shërbimeve Arban Burda është shprehur se deri në ditën e djeshme nuk ka pasur asnjë ankesë nga qytetarët përsa u përket shfaqjeve të minjve. Nuk kemi marrë asnjë ankesë nga qytetarët për një shqetësim të tillë. Di të them se nga ana jonë është hartuar një grafik i posaçëm për dezinfektimin e vend depozitimeve dhe kontenierëve, që janë një vatër e nxehtë e insekteve dhe kafshëve. Gjithsesi grupe të posaçme do të inspektojnë lagjet e qytetit, për të identifikuar zonat më problematike e për të bërë eliminimin e këtyre kafshëve, ka bërë të ditur Burda, ndërsa nga ana tjetër, qytetarët vazhdojnë të përballen me fluksin e minjve.