Shkolla e Bushtricës, prefekti "ankohet" te MASH
Në javën e dytë të protestave të fshatit Bushtricë, në kërkim të shkollës së mesme, si dhe bojkotimit të mësimit, problemi ka sensibilizuar dikasterin qendror në Tiranë. Burime lokale bëjnë të ditur se kanë nisur përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes nga ana e prefektit të Qarkut Kukës, Lulzim Aliaj. Mësohet se mesditën e së mërkurës ai ka udhëtuar për në kryeqytet për të kërkuar ndihmë nga ministria. "Ndërprerja e mësimit për kaq shumë ditë në një shkollë të detyrueshme nuk është shaka", mësohet të ketë thënë Aliaj i shqetësuar për faktin që rreth 350 nxënës të shkollës 9- vjeçare të Bushtricës ende nuk e kanë nisur vitin shkollor. Ende nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë MASH, por bashkë me prefektin ka udhëtuar edhe kryetari i Komunës së Bushtricës, Kujtim Gjoka, i cili mbron me forcë idenë se gjetja e mësimdhënësve nuk është aq e vështirë sa e paraqet DAR në Kukës. Nga ana e tyre, banorët janë shprehur se java e tretë e protestave do të shkallëzohet me bllokimin e rrugës, ndërsa e katërta me grevë urie të 100 prindërve në mjediset e shkollës.