E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liri vrasësit, hetim 3 gjyqtarëve

 

Armand Bajrami

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kërkon nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë shkarkimin e tre gjyqtarëve të Gjy-katës së Elbasanit. Shkarkimi i gjyqtarëve është kërkuar në vijim të kërkesës për procedim disiplinor ndaj tyre e dërguar dje në KLD. Burime të konfirmuara pranë ministrisë sqaruan se gjyqtarët elbasanas që do të procedohen janë Bujar Musta, Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu. Sipas burimeve, shkak për procedimin është vendimi për pafajësi i dhënë nga kjo treshe gjykuese në 1 qershor të vitit të kaluar ndaj shtetasit Suel Çela, i akuzuar për "vrasje me paramendim" të Roland Mustës në shtator të vitit 2006.
Për të njëjtën dosje një vendim i datës 14 prill 2009 i Gjykatës së Lartë e ka kthyer për rigjykim në Shkallën e Parë me një trupë tjetër gjyqtarësh. Kontrolli i ushtruar nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë ka konstatuar shkelje të rënda ligjore të kryera nga kjo treshe gjykuese. Sipas inspektimit, si rezultat i këtyre shkeljeve i pandehuri ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata, ndonëse prokuroria kishte kërkuar për të dënimin me 25 vjet burg. Për rrjedhojë, ditën e djeshme ministri dërgoi në KLD kërkesë për procedim disiplinor, ku kërkon shkarkimin e tyre nga detyra. Kërkesa për procedim ndaj tre gjyqtarëve erdhi vetëm një ditë pas dërgimit për procedim disiplinor të gjyqtares kryeqytetase Manjola Bejleri.
Ndëshkimet e gjyqtarëve
Procedimet disiplinore të dy ditëve të fundit çojnë në 13 numrin e gjyqtarëve që do të kalojnë në "sitë" nga KLD-ja. Emrat e gjyqtarëve për të cilët është kërkuar procedim disiplinor, janë "qarkuar" nga 33 procese inspektimi të kryer nga Ministria e Drejtësisë gjatë periudhës 2005-2009 në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe ato të Apelit. Në përfundim të inspektimeve, ministri i Drejtësisë ka dërguar kërkesa për procedim disiplinor për 5 gjykatës të Apelit të Vlorës, 3 të Gjykatës Ushtarake të Apelit, një të gjykatës së rrethit gjyqësor Mat, 3 gjyqtarë të Gjykatës së Elbasanit dhe një gjyqtar të Gjykatës së Tiranës. Sipas burimeve zyrtare "Për 12 gjyqtarë, në vlerësim të gjetjeve të rezultuara nga inspektimi apo materialet e përcjella nga inspektorati i KLD-së, është propozuar masa e shkarkimit nga detyra dhe për një prej tyre masa e transferimit në një gjykatë tjetër jashtë rrethit gjyqësor".

Procedime të vitit 2008
Vasil Hanxhari         Gjykata e Apelit Vlorë
Meme Rexho         Gjykata e Apelit Vlorë
Sokol Ngresi         Gjykata e Apelit Vlorë
Gjinovefa Gaba     Gjykata e Apelit Vlorë
Alaudin Malaj         Gjykata e Apelit Vlorë
Ylli Minka         Gjykata Ushtarake e Apelit
Naum Pejo         Gjykata Ushtarake e Apelit
Shaqir Gradica     Gjykata Ushtarake e Apelit
Murat Lleshi        Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat
Procedime të vitit 2009
Bujar Musta                 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan
Pajtime Fetahu     Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan
Zihni Shahu                  Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan
Manjola Bejleri    Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›