Plagosi gruan e veten, akuzë për tentativë vrasje
TIRANE - I shpëtoi për mrekulli vdekjes nga një plumb në kokë, gjatë tentativës për vetëvrasje, por nuk i ka shpëtuar dy akuzave, për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Genci Ilnica, i cili dy ditë më parë plagosi bashkëshorten pas kërkesës së saj për divorc, menjëherë sapo të lërë Spitalin Ushtarak do të shkojë në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pasi i duhet të përballet me akuzat që janë ngritur ndaj tij. Shoferit të Radio Televizionit Shqiptar, për pak ditë, sapo gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet, do i duhet të përballet me drejtësinë, për vrasjen e mbetur në tentativë të bashkëshortes së tij, Elsa Telhai, me të cilën kishte një djalë të vogël, njëvjeçar. Ngjarja për të cilën akuzohet Genci Ilnica ndodhi ditën e enjte, rreth orës 16:30, në lagjen "Rruga Ura" në Tiranë. Pas debateve dhe zënkave të herë pas hershme që ai kishte pasur me bashkëshorten e tij 19-vjeçare për zgjidhjen e martesës njëvjeçare, ka përdorur pistoletën që e mbante pa leje, duke tentuar vrasjen e gruas dhe më pas edhe vetëvrasjen. Veprimi i nxituar fatmirësisht shpëtoi pa tragjedi, bashkëshortët tashmë janë jashtë rrezikut për jetën, por i ka kushtuar qelinë babait 27-vjeçar, ku rrezikon të kalojë të paktën 5 vitet e ardhshme të jetës së tij. e.d