Terrorizmi, trajnime për 12 oficerë
TIRANE - Oficerë të lartë të Policisë Shqiptarë do të trajnohen për dy javë rresht në Budapest për luftën kundër terrorizmit dhe ndërhyrjen gjatë incidenteve natyrore dhe njerëzore. Gjithçka do të mundësohet nga Departamenti amerikan i Shtetit. Burime nga Ministria e Brendshme pohuan se tashmë janë përzgjedhur 12 oficerë të lartë policie, të cilët do të shkojnë së shpejti në Budapest, në një trajnim 2-javor për praktikat amerikane të ndërhyrjes në situata të ndryshme natyrore. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, duke siguruar për mbështetjen e tyre, kërkoi angazhim maksimal për të përzgjedhurit, me qëllim modernizimin e këtyre praktikave. Ndërsa ambasadori amerikan në Tiranë, Jhon Withers, duke vlerësuar kursin tha se pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të pajisen edhe me një plan menaxhimi, të cilin mund ta kthejnë në një plan kombëtar. Kursi do të zhvillohet në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest. Nga policia shqiptare janë përzgjedhur 12 oficerë të lartë për t'u trajnuar. Ky program është iniciuar nga ambasada amerikane në Tiranë dhe Ministria e Brendshme dhe është sponsorizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, në kuadër të asistencës kundër terrorizmit.