Fier, nipat e nënë Ferides apel presidentit Topi: Na e sill gjyshen në shtëpi
>Bashkia kontribuon me rikonstruksionin e shtëpisë së vjetër të 75- vjeçares, Feride Bako dhe 2 nipërve të saj jetimë, banues në fshatin Mbyet të Fierit. 75- vjeçarja e dënuar me 5 vjet heqje lirie për kultivim të lëndëve narkotike, vuan tashmë dënimin në burgun e grave në Tiranë. Qysh prej 2 javësh ka filluar rindërtimi i shtëpisë së tyre, të lënë përgjysmë kohë më parë.
Të gjitha shpenzimet për ndërtimin e saj janë marrë përsipër nga bashkia e qytetit të Fierit. Ndihma për 2 fëmijët jetimë, nipër të 75- vjeçares, djemtë e djalit të saj të vdekur, ka ardhur pas premtimit që kreu i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj bëri kur 75- vjeçarja Bako u lejua të festonte vitin e ri me nipërit e saj. 2 vëllezërit e mbetur jetimë, banorë të fshatit Mbyet në rrethin e Fierit janë shprehur entuziast për këtë ndryshim, por nuk lënë mënjanë edhe shpresën se e vetmja gjë e mirë ose dhuratë që mund tu bënte shteti, është që të lirojnë gjyshen e tyre, pasi ata janë ende minorenë dhe kanë nevojë për mbështetjen e saj. "Ne na ka ndihmuar Bashkia Fier dhe për këtë jemi shumë të kënaqur sepse specialistë të ndërtimit po punojnë që të mbyllin shtëpinë që kishte ngelur përgjysmë. Ne nuk mund ta mbyllnim dot sepse pensioni i gjyshes nuk na dilte për të ngrënë dhe jo më për të përfunduar shtëpinë. Ne tashmë kemi ku të rrimë", është shprehur njëri prej nipërve të Feridesë. 2 jetimët Xhemal dhe Sokol Bako, përkatësisht 15 dhe 13 vjeç, kërkojnë nga drejtësia që gjyshja e tyre të dalë nga burgu, jo vetëm për shkak të moshës së saj të madhe, por edhe për vetë kushtet sociale në të cilat ajo ndodhet. Ata i bëjnë apel Presidentit të Republikës Bamir Topi që të ndërhyjë për faljen e saj. "Ne jemi të kënaqur për shtëpinë, por do të jemi më shumë nëse vjen nëna në shtëpi, pasi ajo është e vetmja që na ndihmon në rritjen dhe kujdesin tonë. Ne nuk kemi njeri tjetër, as baba dhe as nënë. I lutem z president të falë nënën dhe të na e sjellë atë në shtëpi", apelojnë 2 nipërit, të cilët nga dëshira për mbarimin sa më shpejt të strehës së tyre, megjithëse në një moshë ende minorene ndihmojnë punëtorët për përfundimin sa më shpejt të shtëpisë së tyre.