E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, një vdes, pesë plagosen në aksidente

FIER – Katër aksidente u regjistruan ditën e djeshme në Qarkun e Fierit, duke shënuar një viktimë dhe disa të plagosur. Ngjarja më e rëndë ndodhi në segmentin rrugor Lushnjë-Divjakë, ku gjeti vdekjen një 17-vjeçar. 

Viktima Taulant Petushi po udhëtonte me motor kur u përplas nga një fadromë. I aksidentuari është dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, por nuk ka mundur të mbijetojë, pasi plagët që ka marrë ishin të mëdha. Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, Ervis Shkoza me akuzën e shkeljeve të rregullave të qarkullimit. Po mëngjesin e djeshëm, një tjetër aksident ka ndodhur në rrethin e Lushnjës. Në Golem, treni i linjës Tiranë-Vlorë ka marrë përpara një makinë “Benz”, që përdoret për funerale. Drejtuesi Flamur Bakiasi, 45 vjeç nga fshati Gramsh mësohet se po kalonte mbi shina kur ka parë që treni ishte shumë pranë. Nga hutimi atij i është fikur makina, duke e bërë të pashmangshme përplasjen. Ai është plagosur rëndë, duke u dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës e më pas në atë ushtarak, ndërsa pasagjeri tjetër është jashtë rreziku. Edhe në qytetin e Fierit në orët e paradites së djeshme kanë ndodhur dy aksidente, në një largësi prej 50 metrash nga njëri-tjetri. Nga të dy aksidentet në aksin Fier-Seman kanë mbetur të plagosur tre persona, mes tyre dhe një vajzë 13-vjeçare. Aksidenti i parë u shënua rreth orës 08:30, kur një makinë “Audi” që drejtohej nga 21-vjeçari Juli Isufi humbi drejtimin e mjetit, duke u përplasur me një bordurë, çka i solli plagosjen vetë të riut. Rreth 30 minuta më vonë, dy makina “Benz” u përplasën, duke lënë të lënduar babë e bir. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidenteve.                 m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›