E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik makinash nga Bosnja, bllokohet “Fordi” i 2008-ës

Trafik makinash dhe nga Bosnjë-Hercegovina. Bllokimi i një veture dje në Pogradec, prodhim i janarit të këtij viti, ka bërë që policia të nisë verifikimet për një rrjet të trafikut. 

POGRADEC/ JORGJETA GJANÇI

Burime të policisë së qytetit pohojnë se, autovetura luksoze është bllokuar dje nga policia, ndërsa është arrestuar edhe poseduesi i saj, Genci Kllomollari, 36 vjeç, banor i Pogradecit. Automjeti tip “Ford fokus”, me targa MQ AR 87, është gjetur në një garazh të vjetër pranë banesës së të ndaluarit. Sipas policisë, ka qenë vetë Kllomollari ai që ka tërhequr vëmendjen e uniformave blu, pasi prej ditësh kishte filluar të negocionte me njerëz të ndryshëm nga kryeqyteti për shitjen e automjetit. Në Komisariatin e Pogradecit pak kohë më parë ka mbërritur një informacion nga homologët maqedonas për futjen në vendin tonë të një autoveture kontrabandë, ndaj kanë filluar të hetojnë për gjetjen e saj. Lëvizjet e dyshimta të 36-vjeçarit i kanë çuar uniformat blu në garazhin e vjetër, ku mbahej autovetura e vjedhur. Pas sigurimit së të dhënave të nevojshme, një aksion i befasishëm ka mundësuar gjetjen e makinës në mjediset e brendshme të banesës së Kllomollarit. Grupi i gatshëm dhe grupi i hetimit, që kanë realizuar goditjen e befasishme i kanë kërkuar Kllomollarit dokumentacionin e mjetit, por ai nuk kishte asnjë të tillë. Në këto rrethana, forcat e policisë kanë bllokuar automjetin, i cili mbante shasinë origjinale, ndërsa kanë arrestuar poseduesin e saj. Sipas hetimeve të para mendohet se, ai është pjesëtar i një grupi trafiku automjetesh të vjedhura, të cilët i sigurojnë mjetet në vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës dhe i shesin në vendin tonë. Policia ka bërë të ditur se, ka kryer verifikimet e para dhe procedurat e tjera ligjore, sipas të cilave poseduesi i autoveturës akuzohet për “trafikim të mjeteve motorike”. Mësohet se mjeti ka hyrë nga Maqedonia në vendin tonë rreth një muaj më parë, përmes njërës prej pikave doganore të Pogradecit. Për të ka pasur informacion edhe policia e Ohrit, e cila po bashkëpunon për zbardhjen e rrjetit të trafikimit të mjeteve që shtrihet edhe në Maqedoni, por edhe vende të tjera në kufi me të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›