E Diel, 1 Nëntor 2026

Mori shpërblimet në tendera,Luan Hoxha gjyq me ministrinë

TIRANE – Gjykata e Tiranës ktheu dje për ta plotësuar padinë e shefit të Shtabit të Ushtrisë Gjeneral-lejtnant, Luan Hoxha, ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. 

Objekti i padisë së Hoxhës është revokim i dy urdhrave të ministrit të Mbrojtjes që mbajnë numrat 10077 dhe 10077/1 datë 7 dhjetor 2006 për zhdëmtimin e disa pagesave që ky kishte përfituar si pasojë e gradës. Padia e Hoxhës është depozituar pak kohë më parë në Ministrinë e Mbrojtjes ndërsa dje ishte seanca e parë kur kreu i ushtrisë shqiptare u paraqit vetë në gjykatë i shoqëruar nga një jurist i shtabit. Ndërkohë pala tjetër, Ministria e Mbrojtjes përfaqësohej nga juristët e vet. Gjyqtari i çështjes Agron Zhukri i pohoi kryeushtarakut Hoxha se padia e tij kishte të meta dhe se duhej të plotësohej para se të niste shqyrtimi i saj. Gjenerali, aktualisht shef i Shtabit të Përgjithshëm nuk është dakord me një urdhër të institucionit të mbrojtjes, i cili e urdhëron të kthejë një shumë të konsiderueshme parash, të cilat i ka përfituar padrejtësisht, sipas një kontrolli të ushtruar kohë më parë nga KLSH-ja dhe që e evidentonte si shkelje marrjen e këtyre parave. Por, falë gradave që disponon, gjenerali ngre pretendimin se ky urdhër i Ministrisë së Mbrojtjes është i padrejtë, ndaj dhe kërkon shfuqizimin e tij, pasi i kërkohet që të kthejë shumën e përfituar nga pjesëmarrja në komisionet për tenderime. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›