E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, 15-vjeçarja i jep fund jetës me spërkatës rrushi

KORÇE – Vetëhelmohet duke konsumuar helmin e rrushit. 

Një 15-vjeçare, banore e fshatit Pojan të Rrethit të Korçës me inicialet D.G., i ka dhënë fund jetës duke pirë herbicide, me të cilat i ati do të spërkaste pemët frutore. Motivet që e shtynë minorenen t’i japë fund jetës mbeten mister. Prindërit nuk japin dot asnjë shpjegim për veprimin fatal të vajzës, pasi ajo nuk ishte hapur me asnjërin prej tyre. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës, kur prindërit e kishin lënë vetëm në shtëpi të bijën, pasi kanë shkuar në ara për t’u shërbyer të mbjellave. Sipas policisë, dyshohet se e mitura e kishte bërë gati helmin për ta konsumuar menjëherë pasi ka mbetur e vetme. Gjithashtu, mendohet se e mitura mund të ketë ndërruar mendje menjëherë pas gëlltitjes, pasi ajo është përpjekur të dalë nga shtëpia, por efekti i helmit ka vepruar shpejt. Në momentin që prindërit e saj janë kthyer e kanë gjetur vajzën pa ndjenja në dhomën e ndenjes. Menjëherë ata janë përpjekur t’i japin ndihmë 15-vjeçares. Me një mjet të rastësishëm e kanë dërguar atë me urgjencë në spitalin e Korçës, por sipas mjekëve, e mitura kishte ndërruar jetë para se të paraqitej në spital. Policia e Korçës ka nisur veprimet e para hetimore për zbardhjen e ngjarjes. Vetë babai i vajzës ka pohuar se ajo kishte rreth 4 ditë që kishte qenë në gjendje të rënduar emocionale. Ai ka shprehur dyshimin se ajo është vetëhelmuar, mbasi në mjediset e shtëpisë kishin gjetur një gotë të zbrazur me pak preparat helmues në fund të saj. Kjo gotë është marrë nga grupi hetimor nën cilësinë e provës materiale. Mësohet se pas kontrollit të trupit të vajzës prej ekspertëve kriminalistë është konstatuar se, nuk kishte asnjë shenjë dhune, duke lënë si të vetmen pistë vetëhelmimin.            j.gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›