E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laç, gjendet i vdekur nga mbidoza e drogës 32-vjeçari

LAÇ - Një 32-vjeçar është gjetur i vdekur pasditen e djeshme nga mbidoza. 

Ky është dyshimi i policisë pas zbulimit të trupit të pajetë të Agim Carës nga Laçi, pranë ish-magazinave të Ndërmarrjes së Ndërtimit të këtij qyteti. Pas njoftimit nga ana e banorëve të zonës, policia ka mbërritur me shpejtësi, duke bërë dhe identifikimin e viktimës. Burime të policisë pohojnë se pranë trupit pa jetë të 32-vjeçarit Cara policia ka gjetur një shiringë, e cila është sekuestruar duke u dërguar për ekspertizë. Sipas policisë dyshohet se pikërisht injektimi në krah i një sasie droge nga ana e Carës është dhe shkaku i vdekjes së tij. Nga verifikimet e kryera rezulton se viktima njihej si përdorues i lëndëve narkotike. Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur 3 ditë më parë, por vetëm dje është arritur të gjendej trupi i tij. Në vendngjarje kanë mbërritur dhe familjarët e tij, të cilët pas ekspertizës e kanë tërhequr trupin drejt banesës për të kryer ceremonitë e fundit.                      r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›