Fier, padi për shkelje të ligjit kryetarit të PD-së
Ferdinand Murati do të paditet për shkak të një leje ndërtimi të firmosur prej tij në vitin 2000
Këshillit të Qarkut të Fierit iu kërkua të paguante një dëmshpërblim në vlerën prej 3 172 500 lekësh
FIER - Këshilli i Qarkut të Fierit vendos të padisë në Prokurori kryetarin e Partisë Demokratike në Fier, Ferdinand Murati. Vendimi për padinë ka ardhur pas një shkrese të mbërritur nga Zyra e Përmbarimit, në të cilën bëhej e ditur se Këshilli i Qarkut duhet të bënte ekzekutimin e vendimit për dëmshpërblimin në vlerën 3 172 500 lekë pronarit të një lokali. Vendimi ishte i gjykatës së Fierit, ndërsa bëhej fjalë për një dëm të ardhur pas nënshkrimit të një leje ndërtimi në vitin 2000 që më pas është shfuqizuar.
Këshilli
Në një deklaratë zyrtare të Këshillit të Qarkut bëhet e ditur se në adresë të këtij institucioni kishte mbërritur një shkresë zyrtare nga Zyra e Përmbarimit, drejtuar kreut të qarkut, Luan Muçaj. Mes të tjerave, në të thuhej se institucioni që ai drejtonte duhet të bënte ekzekutimin e një vendimi për dëmshpërblim në vlerën 3 172 500 lekë pronarit të një lokali.
Zyra e Përmbarimit të Fierit i referohet një vendimi të gjykatës Fier, e cila kërkon shpërblim të dëmit të ardhur nga zbatimi i Aktit Administrativ të Këshilit të rrethit Fier, vendim Nr.4 datë 7.07.2000. Bëhet fjalë për lejen e ndërtimit të një lokali dykatësh i nënshkruar nga ish-kryetari Ferdinand Murati.
Sipas Këshillit të Qarkut, në njoftimin për shtyp thuhet midis të tjerave se "vendimi për leje ndërtimi për këtë lokal dykatësh është shfuqizuar nga KRRTSH-ja, me vendim nr.12 datë 03.12.2003 për shkak të shkeljeve të shumta ligjore në miratimin e saj, është kundërshtuar nga institucioni i Prefektit të asaj kohe, si dhe i kundërshtuar po nga ky institucion si i pabazuar në ligj.
Por, pavarësisht nga këto mangësi, - thuhet në njoftimin për shtyp, - ky akt administrativ është firmosur nga kryetari i KRRT-së, Ferdinand Murati". Për këtë, institucioni i Këshillit të Qarkut do të bëjë një denoncim në prokurorinë e rrethit Fier ndaj ish-kryetarit Ferdinand Murati.
Reagimi
I pyetur nga gazeta lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij, kryetari i Partisë Demokratike, dega Fier, Ferdinand Murati, u shpreh se në momentin që fliste ndodhej jashtë qytetit dhe nuk kishte aspak dijeni për ngjarjen, por sapo të mësonte më tepër do të prononcohej për shtypin.