E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet struktura për të kontrolluar pasuritë e politikanëve që ngrenë biznese në emër të familjarëve

>Komisioni i Ligjeve miratoi, strukturën dhe organikën e punonjësve të ILDKP-ës
Inspektorati i Deklarimit të Pasurive tashmë kërkon të zgjerojë spektrin e kontrollit të tij mbi subjektet që janë pjesë e funksionit të tij. Menjëherë pas ardhjes në krye të këtij inspektorati të Adriatik Llallës, u kërkua të zgjerohej kontrolli mbi personat të cilët janë të detyruar nga ligji të deklarojnë pasurinë. Në këtë kuadër në zbatim të neneve 24 dhe 35 të ligjit nr.9367, dt.04.07.2005, në formularin e ri të deklarimit të interesave private, është vendosur një hapësirë e caktuar për gjeneralitetet e personave të lidhur me zyrtarin (bashkëshortit/ja, fëmijët në moshën madhore dhe prindërit e zyrtarit e të bashkëshortit/es) për të cilat ligji parashikon kufizime të posaçme ashtu dhe për zyrtarët subjekt deklarimi. Inspektorati i Lartë duhet të zotëroj më shumë informacion mbi personat e lidhur me zyrtarin, duke forcuar kështu mekanizmat e hetimit administrativ për evidentimin dhe shmangien e konfliktit të interesave  të vazhdueshëm. Pra, nëpërmjet zgjerimit të aktivitetit dhe kompetencave të inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, do të kemi kontroll më të thellë mbi pasuritë e politikanëve të cilët kanë ushtruar korrupsion. Zgjerimi i kontrollit mbi familjet e politikanëve rrezikon atë pjesë të politikanëvë që kanë ngritur biznese në emrat e vjehrrit, vjehrrës, babait, nënës apo dhe fëmijëve madhorë.  Një nga personat që del i prekur nga kjo histori është edhe kryeministri i vendit Sali Berisha i cili ka në emrin e së bijës, Argitës pasuri me vlera marramendëse. Pikërisht ditën e djeshme ky inspektorat ka kërkuar të rrisë buxhetin për të mbështetur strukturën e re para komisionit të Ligjeve. Komisioni Parlamentar i Ligjeve diskutoi   kërkesën  për miratimin e strukturës dhe organikës së punonjësve të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. ILDKP, në mbështetje të kërkesës për shtim të numrit të punonjësve sipas programit buxhetor të vitit 2009, në përputhje dhe me nevojat institucionale, kërkon që të përshtasë strukturën organizative  në funksion të forcimit të rolit të Inspektoratit të Lartë, si një ndër institucionet përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit. Forcimi i kapaciteteve institucionale është çështje e evidentuar edhe në progres-Raportin e komisionit Evropian  për vitin 2007-2008. Pas konsolidimit të zbatimit të ligjit mbi deklarimin e pasurive dhe të ligjit për konfliktin e interesave duke u përballur me shtrirje më të gjerë.  Inspektorati i Lartë, në zbatim të ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 për parandalimin e konflikteve të interesave  në ushtrimin e funksioneve publike, ka synuar në drejtim të evidentimit të rasteve të përfshirjes së interesave private të zyrtarëve në funksione publike dhe shmangies së tyre nga parashikimet e ligjeve. Në rezolutën e 2008-ës kuvendi kërkoi nga ILDKP rritjen e bashkëveprimit me institucione të tjera, e në mënyrë të veçantë me prokurorinë, me qëllim parandalimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik duke ndjekur kështu procedurat ligjore në zbatim të ligjit nr.9367 datë 7.4.2008, dhe për çështje që në bazë të nenit 281 të Procedurave Penale, ILDKP dërgon për kallëzim penal, në organin e prokurorisë. Gjithashtu, Drejtoria Juridike dhe Marrëdhëniet me Autoritete Përgjegjëse, do të ndihmojnë në përmirësimin e bashkëpunimit institucional, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të politikave dhe mekanizmave të të parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave dhe luftës kundër korrupsionit e krimit ekonomik, mbështetur në marrëveshjet e bëra ndërmjet ILDKP-ës dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit.Në strategjinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për vitin 2009, prioritet nuk është vetëm evidentimi, parandalimi dhe shmangia konfliktit të interesave, por edhe vendosja e sanksioneve përkatëse në rastet e mosrespektimit të kërkesave ligjore. Më tej gjatë paraqitjes së kërkesës komisioni aprovoi shkresën me Nr.4037/1, datë 03/11/2008,lidhur me propozimin për strukturën dhe organikën e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe Kontrollit të Pasurive drejtuar Z.Adriatik Llalla, Inspektor i Përgjithshëm, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›