E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, pazari politik LSI-ujesjellesin, PD-këshillin

 

****

Pazari mes dy partive: Drejtori i Ujësjellësit i LSI-së, ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak i PD-së

Fier, aleanca nëntokësore PD-LSI

Arben Rrozhani

Myzaljen Hoxha, kryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Fierit, nxjerr nga xhepi një letër format A4.

Një tekst i shkurtër dhe i firmosur që mban datën 31 mars 2008. Është kërkesa për dorëheqje të parevokueshme që Hoxha kishte menduar të jepte një ditë më parë, por që tani është mëse i vendosur të mos e bëjë realitet. Kanë qenë orë tensioni për kreun e kryetarit të këshillit, që është një anëtar i thjeshtë i PS-së së Fierit. PS-ja është për të tretin mandat radhazi në drejtimin e Bashkisë së Fierit, njëri prej qyteteve më të rëndësishëm të Shqipërisë, ku si shumë pak qytete të vendit, synon të jetojë gjatë gjithë vitit dhe jo gjatë stinës së verës. Një qytet ku po përqendrohen investimet më të mëdha në infrastrukturë, apo biznes.

Por drejtimi i Fierit nga e majta është vënë në pikëpyetje nga mbledhja e fundit e këshillit bashkiak, pas aleancës së hapur mes PD dhe LSI, me një pazar të qartë: LSI-ja të merrte drejtimin e Ndërmarrjes së Ujësjellësit, e cila sipas kartës së decentralizimit kalon nga pushteti qendror nën administrimin e pushtetit vendor, ndërsa në këmbim të votave për marrjen e ujësjellësit, LSI-ja do të jepte votat që PD-ja të merrte drejtimin e Këshillit Bashkiak. "Unë do ta quaja një "xhuvelizëm vendor",- thotë Hoxha, i cili gjatë dy ditëve të fundit të marsit, është dyzuar mes detyrimit moral dhe partiak për të mos e lënë drejtimin e këshillit të shkojë në duart e të djathtës dhe administrimin e ujësjellësit, ndërmarrjes më të rëndësishme për qytetarët të mos lërë në duar të të paaftëve, siç ka ndodhur prej shtatorit 2005.

***

Nuk është e lehtë të kryetarin e Këshillit Bashkiak që të flasë për krizën e re, ku është futur e majta në Fier. Nuk është krizë në korniza deklarative, por një kurth që rrezikon të nxjerr në opozitë shumicën e majtë, që ka fituar mandatin e tretë për të drejtuar qytetin e Fierit. Një kurth për të cilën akuzohet një pjesë e rëndësishme e të majtës, siç është LSI. Çarja bëhet edhe më serioze po të rreshtohen kartonët e partive politike që kanë anëtarë në këshillin bashkiak. Aktualisht, në këshillin bashkiak të Fierit, e majta ka 18 vota, 13 anëtarë të PS-së, 4 të LSI-së dhe 1 i PSD-së. Ndërsa e djathta ka 14 anëtarë: 8 të PD-së, 2 të PDI, 2 të PR-së, 1 PAA dhe 1 PBDNJ. Rreshtimi i përfaqësuesve të LSI në kampin e djathtë, siç ndodhi në mbledhjen e fundit, e nxjerr pakicë shumicën e majtë, duke e vënë në krizë serioze. Ndërsa mund ta çojë edhe më tej këtë çarje, nëse LSI-ja dhe anëtarët e djathtë, bashkojnë sërish votat për të votëbesuar kryetarin aktual Hoxha, përfaqësues i PS-së, ashtu siç ishte tentativa e dështuar e pak ditëve më parë. "LSI dhe PD kërkuan votëbesimin për kryetarin e Këshillit Bashkiak",- thotë Hoxha, por ajo u hodh poshtë pasi nuk ishte në rendin e ditës dhe duhej më parë të kalonte në Konferencën e Kryetarëve të Grupeve që përbëjnë këshillin bashkiak.

"Koka" e Hoxhës do të ishte "kurbani" për marrëveshjen mes PD-së dhe LSI-së, që kjo e fundit të merrte drejtimin e Ndërmarrjes së Ujësjellësit dhe pas kësaj, LSI-ja t'ia shpërblente të djathtës, duke votuar që në vend të Hoxhës së PS-së, drejtimin e Këshillit bashkiak ta merrte PD-ja.

"Pakti mes PD-së dhe LSI-së ishte që ujësjellësi t'i jepej LSI-së dhe ajo, në këmbim, të jepte votat që kryetari i Këshillit Bashkiak të drejtohej nga PD-ja".

Kompromisi? Hoxha e kundërshton me forcë drejtimin e Ndërmarrjes së Ujësjellësit nga LSI-ja, sepse ndërmarrja më e rëndësishme e qytetit, kërkon një dorë të fortë për ta bërë rentabile dhe në shërbim të qytetarëve këtë shërbim shumë jetik.

"PS-ja ishte kundër, sepse ujësjellësi ka rëndësi të madhe publike dhe ne ishim dakord që të jepej një ndërmarrje tjetër nën varësinë e bashkisë. Ne u propozuam marrjen nën drejtim të Ndërmarrjes së Komunales, por ata e refuzuan dhe këmbëngulnin vetëm te ujësjellësi",- rrëfen ai. Hoxha thotë se nuk mund ta kuptojë qëndrimin e LSI-së për të patur ndërmarrjen më të rëndësishme dhe për ta kthyer atë në celulë të punësimit të militantëve. "Ata e kanë thënë publikisht se e duan këtë ndërmarrje për të punësuar aty njerëzit e tyre, por nuk është kjo ajo që i nevojitet aktualisht ndërmarrjes së ujësjellësit",-shprehet kryetari i Këshillit Bashkiak.

***

Hoxha thotë se pas vjeshtës së vitit 2005, shumë gjëra kanë shkuar keq për ndërmarrjen. Ajo ka aktualisht 185 punonjës, ndërsa administrata ka 27 nëpunës. Ndërmarrja ka një borxh prej 3.7 miliardë lekësh dhe 54 punëtorë janë tepër asaj organike që duhet, sepse drejtuesit e PD-së e kanë fryrë atë me militantë. Dhe ndoshta kështu do të vijojë, duke ia lënë drejtimin LSI-së, e cila do të heqë ata që janë për të marrë në punë njerëzit e saj.

Sipas tij, kjo do ta bënte të pavlefshëm investimin shumëvjeçar që bashkia e drejtuar nga PS-ja ka bërë në ndërmarrje. "Gjatë viteve të kaluara janë bërë shumë investime në Ndërmarrjen e Ujësjellësit dhe më thelbësori është ndërtimi i linjës së furnizimit nga komuna Kafaraj, deri te Qafa e Koshovicës, duke i shtuar prurjet pesë herë. Por mbetet për t'u bërë shumë në rrjetin e brendshëm të qytetit si dhe në administrimin e kësaj pasurie, e cila ka shumë vlerë për komunitetin",- thotë Myzaljen Hoxha.

Përtej pazareve të ngushta të momentit mes PD-së dhe LSI-së, kryetari i Këshillit Bashkiak thotë se qëndrimi politik i LSI-së është një shkelje flagrante e marrëveshjes parazgjedhore, që PS dhe LSI bënë para se të hynin në garën për të mbajtur në shumicë të majtën në Fier. "LSI nga rreth 45 mijë votues të regjistruar për votimet e 18 shkurtit 2007 ka marrë rreth 1800-2000 vota, ndaj ajo duhet të jetë e ndërgjegjshme për votën që ka marrë",- thotë ai. Ai, megjithëse është një anëtar i thjeshtë i PS-së Fier, thotë se administrimi i një ndërmarrjeje me rëndësi jetike, siç është Ujësjellësi, ka një kosto të madhe politike për partinë ku ai aderon. "Mandatin për të qeverisur sërish Fierin e ka PS-ja dhe ajo me veprimet apo mosveprimet e veta do ta paguajë faturën morale dhe politike, nëse ndërmarrje të tilla nuk punojnë për të mirën e dhjetëra-mijëra qytetarëve dhe jo të një grupi njerëzish që mendojnë vetëm për interesa të momentit",- shprehet i vendosur kryetari i këshillit bashkiak.

Ish-drejtuesi i LSI-së së Fierit: "Më kërcënuan edhe me postin e nënkryetarit"

Haxhi Kalluci: "Unë, njëri prej të zhgënjyerve të LSI-së"

Haxhi Kalluci është pak të thuash se ndjehet i zhgënjyer. Deri në fund të vitit 2007 ishte de jure Kryetar i Degës së LSI-së së Fierit. Një detyrë e vështirë dhe me përgjegjësi që e bëri të takonte mijëra njerëz, t'u bënte thirrje për forcën e re politike që kishte lindur pas ndarjes me PS-në që udhëhiqej nga Fatos Nano. "Ishim idealistë dhe punuam me shpirt për të majtën",- thotë skulptori dhe poeti i dëgjuar. Pas fitores së të majtës në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007, ai mban postin e Nënkryetarit të Bashkisë së Fierit, duke qenë krahu i djathtë i kryetarit të baskisë, Baftjar Zeqaj. "Fieri është ndër të paktët qytete që do të jetë vital, jo vetëm në kohën e verës, por gjatë gjithë vitit. Fieri ka një forcë të madhe investuese, ka një rini që, pasi bëri paratë në emigracion, është kthyer të punojë në vendlindje dhe ta zhvillojë këtë si shumë pak zona të tjera të Shqipërisë". Me zotin Kalluci vizitojmë kompleksin e ri rezidencial të Fierit, 600 metra larg qendrës së qytetit, një investim i madh i një grupi financierësh, që sjell mënyrën perëndimore urbane të të jetuarit. Bashkia është partnere morale e kësaj iniciative që ka ngjallur zilinë e kryeqytetasve, që pyesin: "Po pse nuk e bëtë në Tiranë?".

Haxhi Kalluci është ndër të paktët artistë që nuk e la Fierin, ashtu siç kanë bërë shumë familjarë të tij prej vitesh. "Ishte shkolla ajo që na mbajti këtu, ishte arti dhe dashuria për t'u dhënë njerëzve shpresë",- thotë skulptori dhe poeti, që bashkë me familjarët ka ngritur një rrjet librarish dhe galerie, ku gjithkush mund të jetë i fituar për t'u promovuar dhe për t'u ndjerë i vlerësuar". Thotë se e nisi këtë punë në vitin e mbrapshtë 1997, kur gjithçka dukej kaotike dhe ndërsa të gjithë i fortifikonin bizneset me qepena, ai e bëri të gjithën me xhama, për të treguar mbijetesën dhe shpresën për të ardhmen. Aty kanë kaluar të gjithë nga Dritëroi i famshëm, me të cilin takohet dhe kthen ndonjë gotë, deri te poetët apo artistët vendorë të arteve pamore.

***

Haxhi Kalluci do të bëhej një emër politik para katër vitesh. Më 16 shtator 2004, takimi themelues i Degës së LSI-së për rrethin e Fierit vendosi që ajo të drejtohej Haxhi Kalluci. Ishte një detyrë e vështirë sepse Fieri ka patur përherë ndikim të madh në PS. "Kam puthur mijëra duar, nuk kam lënë komunë pa vajtur e fushë pa shkelur". Ka fituar bastin e vet politik, për ta bërë realitet ambicien e vet politike që në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007, LSI-ja të kapte shifrën 14.5 për qind të votave.

Është i qetë në ndërgjegjen e vet, megjithëse do të kishte bërë shumë punë të tjera, më fitimprurëse, më me pak kokëçarje dhe në fund, mund të kishte marrë vlerësimin e merituar, atë që nuk ia dhanë në LSI, megjithëse ai dha çfarë mundi. "Ishte e vështirë të punoje në shtet në 2004 dhe të ishe kryetar i Degës së LSI-së",- tregon Kalluci. Kishte një pozicion të nderuar atëherë, sepse ishte Drejtor i Liceut "Jakov Xoxa", njërës prej të paktave çerdhe ku jo vetëm mbijetuan artistë dhe u diplomuan mijëra nxënës të shkëlqyer, por që ka arritur të bëhet një shkollë shtetërore, ku lektorë janë edhe pedagogë të huaj. "Por falë edhe staturës time dhe përpjekjeve të mia, që në fund të fundit ai që fiton është komuniteti, mua më lanë të qetë në punën time".

***

Në qytetin e Fierit, po të ecësh me nënkryetarin e Bashkisë duhet të kesh shumë kohë, sepse në çdo hap e ndalojnë qytetarë të shumtë. "Xhikja" siç e thërrasin shkurt, ndalon dhe qan me ta hallet, ashtu siç bëri gjatë fushatave. "Më vjen zor t'u dal shumë njerëzve përpara, sepse atëherë bëmë premtime të shumta dhe folëm për mirëqeverisje, për një të majtë të bashkuar që do të vijojë procesin e pandalshëm të zhvillimit të Fierit",- thotë ish-kryetari i degës së LSI-së për rrethin e Fierit.

Atmosfera e tanishme është shumë larg asaj që kishin krijuar me shumë kosto partitë e majta, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007. Shumë ndryshe nga ajo që deklaronte kryetari i LSI-së në Fier, në takimin e 4 nëntorit 2006, gjatë aktivit të LSI-së, Fier, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të partive të tjera të majta. "Ne nuk synojmë që me këtë bashkëpunim ta ndajmë Shqipërinë dhe të ndajmë elektoratin opozitar me parcela sipas flamujve apo trëndafilave që ne kemi, por ne synojmë që të përzgjedhim jo thjesht kandidatët më të mirë, por të ndërtojmë ekipet më të mira përfaqësuese për bashkitë...",-deklaronte Meta para zgjedhjeve vendore. Gati një vit e gjysëm më vonë, më vonë nuk bëhet fjalë më për parcela të së majtës, por për bashkëpunim të një partie të majtë me të djathtën, duke tentuar për të nxjerrë në opozitë PS-në, tradicionalisht fituese në Fier.

Kalluci shpreson se do të jetë forca e arsyes ajo që do të fitojë edhe kësaj radhe. Megjithëse, edhe rreth tij, situata nuk është aq e qetë. Prej fundit të vitit të kaluar, kur iu komunikua shkarkimi nga drejtimi i degës së LSI-së, kryetar i deleguar është nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti. Pjesa më e madhe e degës vazhdon të mbështesë ish-kryetarin, por kjo nuk e ka penguar qendrën që të vërë në dyshim edhe të ardhmen e tij, duke e kërcënuar se do të kërkojë edhe largimin nga posti i nënkryetarit të bashkisë.

"Mund të kisha bërë shumë punë të tjera, me më shumë fitim, por hyra me idealizëm në një politikë që të zhgënjen, megjithëse kjo punë më dha shumë kënaqësi, sepse njoha shumë njerëz dhe kjo është shumë më e rëndësishme se vlerësimi që vjen nga Tirana",-thotë Haxhi Kalluci.

Mbledhja, pakti PD-LSI nxjerr në opozitë PS-në

Ka dështuar mbledhja e radhës së Këshillit Bashkiak të qytetit të Fierit dhe kjo nuk është e para. Ajo ka disa muaj që po dështon për votimin e anëtareve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a., Fier. Qysh në fillim, mbledhja filloi e tensionuar. Ndërrimi i raportit numerik të këshilltarëve të së majtës në favor të së djathtës, pasi këshilltaret e LSI ishin në një emërues të përbashkët me atë të grupit të PD-së rriti ankthin dhe tensionin te këshilltarët e majtë, të cilët e ndjenin veten në minorancë. Kreu i grupit të PS, Arjon Muçaj ka shprehur mendimin e tij lidhur me këtë situatë të krijuar që sipas tij e ka bazën mbi interesat personale, ku më pas ka ftuar këshilltarët e PS-së për t'u larguar nga salla e mbledhjes.

Mbas kësaj deklarate ka reaguar edhe kreu i këshilltarëve të djathtë, Ferdinant Murati, i cili është shprehur se çështja të mos politizohet, por të veprohet sipas procedurave ligjore për zhvillimin e mbledhjes. Mbas largimit të këshilltarëve të majtë mbledhja vazhdoi praninë e këshilltarëve të djathtë dhe të LSI-së dhe me 19 vota pro e asnjë kundër miratoi shfuqizimin e vendimit të mëparshëm të këshillit bashkiak. Ndërsa e majta në mbledhjen e shkurtit kishte propozuar më shumë anëtarë të rinj në Këshillin e Mbikëqyrjes të Ndërmarrjes së Ujësjellës -Kanalizimeve sh.a., dhe miratoi anëtarë të rinj në këtë këshill. Pas miratimit të kësaj pike, kryetari i këshillit bashkiak Myzaljen Hoxha, së bashku me grupin socialist, iu rikthyen mbledhjes.

Mbas disa debatesh, kreu i këshilltarëve të PD-së kërkoi nocion mosbesimi për kreun e këshillit që i përket PS, duke kërkuar votim. Por kryetari i këshillit bashkiak e ka kundërshtuar atë si një kërkesë të pambështetur në ligj. Këshilltarët e LSI-së kërkuan ndërprerjen e mbledhjes për të shqyrtuar situatën me këshilltarët e saj, me qëllimin për ta miratuar propozimin e PD-së për mocion mosbesimi ndaj kryetarit këshillit bashkiak.

L.Çeçoaliaj

Kryetari i bashkisë së Fierit, kundër paktit PD-LSI

Baftjar Zeqaj: Pakti, bllokim absurd i zhvillimit të qytetit

Kryetari i bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj ka reaguar se dështimi i mbledhjeve të Këshillit Bashkiak ka minuar transferimin e kapitalit të Ujësjellësit nga qeverisja qendrore, në qeverisjen lokale. Sipas tij, fakti që drejtuesi i ujësjellësit do të vendoset nga dy parti, LSI dhe PD, është një absurditet. Zeqaj thotë se aktualisht Ndërmarrja e Ujësjellësit është një amulli dhe kërkon një dorë të fortë drejtimi.

Zeqaj thotë me trishtim se, baza ende nuk po e kupton politikën decentralizuese në nivel qendror.

"Ndryshe është reforma e qeverisjes qendrore e Partisë Demokratike, platformë decentralizuese që përveç ujësjellësit, shumë shpejt po përgatit edhe ligje për trafikun e qytetit dhe për kompetenca të tjera, ndërsa këtu në Fier janë me kohën e Babaqemos dhe thonë, "dakord, ju do ta jepni pushtetin lokal, por ne i bllokojmë, pra, ndryshe politika qendrore dhe ndryshe politika lokale. Mua më vjen keq që këtë nuk e ka kuptuar as kryetari i PD-së, as kryetari i grupimit të djathtë në bashki, as përfaqësuesit e LSI-së, as Prefekti dhe as Kryetari i Qarkut".

Kryetari i bashkisë së Fierit thotë se, drejtuesit e PD-së në Fier nuk po bëjnë gjë tjetër, veçse të vazhdojnë te centralizojnë detyrat. "PD ka plot ndërmarrje në qarkun e Fierit, ka ARMO-n , ALBETROL-in, Rafinerinë, Arsimin, Shëndetësinë dhe me etje të madhe, me uri të madhe kërkojnë të administrojnë Ujësjellësin, që e ka patur atë dhe e kanë lënë për faqe të zezë. Unë kam garantuar se do të sjell ndryshime të rëndësishme, se brenda 6 mujorit të parë, qyteti i Fierit nuk do të ketë asnjë rrjedhje uji nëpër rrugë, do të rriten të ardhurat, do të ketë një koordinim më të mirë në ndërtimin e infrastrukturës aty ku do hapet rruga dhe aty do të sistemojmë edhe kanalizimet e ujërave të zeza, sepse sot zgjatet rruga tre muaj në unazë vetëm se ujësjellësi nuk përgjigjet në kohë". Zeqaj u bashkua me shqetësimin e mbarë opinionit të Fierit, se PD dhe LSI do të bllokojnë vendimet, duke kaluar në absurditet, ngaqë kanë krijuar maxhorancën për të bllokuar projekt- vendimet që do të paraqiten në këshillin bashkiak.

L.Çeçoaliaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›