Korçë, mbyllen 10 klinika dentare "ilegale"
Grupi task force ka evidentuar mungesë totale dokumentacioni, punonjës në të zezë dhe kushte jashtë parametrave
Belishta: Nga 32 klinika të kontrolluara, mbyllëm 7 dhe 3 laboratorë dentare. Kontrollet vazhdojnë
Korçë- Klinika dentare ilegale, pa dokumentacion dhe me dentistë e laborantë në të zezë. Këtë fakt ka zbuluar kontrolli i fundit i bërë në qytetin e Korçës, gjatë të cilit u mbyllën 10 klinika, mes të cilave edhe një klinikë turke. Aksioni është zhvilluar një ditë më parë, nga një grup task force, që pas kontrollit u ka vënë drynin 7 klinikave dentare dhe 3 laboratorëve, ku punonin 15 persona në të zezë.
Kontrolli
Drejtoria e Shëndetit Publik në Korçë pas informacioneve të marra në rrugë operative për ekzistencën dhe përhapjen e fenomenit të shtimit të përditshëm të klinikave private të palicencuara, ka ndërmarrë një kontroll të imtësishëm, duke i dhënë një goditje këtij fenomeni të kthyer në modë. Sipas Xhevdet Belishtës, specialist pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik është ngritur një grup task-forc nga ana e kësaj drejtorie, që ka ndërmarrë kontrolle të befasishme në plot 32 klinikat dentare. "Këto klinika veprojnë vetëm në qytetin e Korçës, nga të cilat 7 prej tyre kanë qenë ilegale bashkë me 3 laboratorë dentarë",-thotë ai. Belishta në një prononcim të tij për gazetën, shprehet se kontrollet do të vazhdojnë. I pyetur për faktin e veprimtarisë së tyre të gjatë, ai sqaron se ato nuk kanë rënë në sy të këtij institucioni shëndetësor në juglindje dhe për faktin se kanë qenë të vendosura në rrugët dytësore të qytetit, në pjesë të veçuara të tij, duke mos rënë në sy të përfaqësuesve të Shëndetit Publik.
***
Në listën e gjatë të klinikave të mbyllura, të cilat mbajnë emrat e stomatologëve më të njohur të këtij qyteti, ka qenë dhe një klinikë private turke. Tre specialistë turq të ardhur në Shqipëri për të kuruar dhëmbët e korçarëve, kanë ngritur prej gati një viti aktivitetin e tyre të paligjshëm, duke punuar të qetë dhe duke mos derdhur asnjë lloj detyrimi në arkën e shtetit. "Grupi task-forc është ngritur sapo kemi marrë informacionin dhe ky ka qenë dhe hapi ynë i pare",- bën të ditur Xhevdet Belishta, specialist pranë Shëndetit Publik. Pas mbylljes së këtyre klinikave, sipas tij, do të mendohet më tej ecuria që do të zgjedhin për pronarët e tyre. Në këto klinika, përveç mungesës së licencës dhe punonjësit në të zezë, kushtet kanë qenë jashtë parametrave të kërkuara. Duket se pas mbylljes së klinikave dhe laboratorëve dentarë, tashmë pritet të ketë dhe penalizime në rast se pronarët e tyre do të tentojnë t'i rivënë ato në punë. Ndërkohë që sipas Belishtës duke u bazuar tek ligji do të vazhdohet me procedurat që ndiqen në raste të tilla. Për sa i përket klinikave të tjera, që do të thotë 24 prej tyre nga i gjithë komuniteti i këtij lloj aktiviteti, janë të gjitha të rregullta në të gjithë dokumentacionin që iu ka kaluar në sitë nga ana e grupit të task-forc gjatë kontrollit të ndërmarrë në to.