E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, policia arreston 6 përfaqësues të Aleancës

 

Pas protestës, aleancistët janë shpënë në komisariat dhe janë arrestuar. Policia shpërndan me dhunë protestuesit

VLORË- Policia ka reaguar përdhunisht dy net më parë ndaj përfaqësuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës duke shoqëruar në komisariat tetë prej tyre, nga të cilët më pas vetëm dy kanë rifituar lirinë. Tetë personat janë mbajtur për tërë natën në një qeli të komisariatit dhe vetëm në mëngjes është prerë fletë- arresti për pesë prej tyre. Në ambientet e komisariatit janë mbajtur në pranga drejtues të lëvizjes së Aleancës, nënkryetari i saj Sadrit Danaj, si dhe aktivistët e tjerë Besnik Lulaj, Eneid Hamzaj, Alfons Bilali, Viron Serati e Viktor Lagji.

***

Burimet zyrtare të policisë së Vlorës e kanë justifikuar veprimin e tyre duke pohuar se fletë- arrestet kanë qenë në kushtet e flagrancës me motivacionin e bllokimit të mjeteve që qarkullojnë në akse të qytetit, si dhe organizim të tubimeve të paligjshme. Ndërkohë prej orëve të mbrëmjes pranë ambienteve të policisë nuk kanë munguar momentet e tensionit. Shumë përkrahës së Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, studentë e qytetarë të tjerë kanë kërkuar pranë ambienteve të jashtme të komisariatit të lironin aktivistët e AMGJ-së, ndërkohë që autoritete të policisë kanë bërë thirrje të shpërndahen. Protesta e dy netëve më parë në Skelë ka rinisur në orët e mesditës së djeshme, pikërisht pranë ambienteve të komisariatit të Vlorës.

***

"Nuk duam dhunë policore, duam thjesht të mbrojmë të drejtën tonë, e cila na përket me ligj",- kanë qenë parullat e përfaqësuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Ata kanë vijuar me kërkesën e tyre për zhvillimin e një referendumi lokal në lidhje me ngritjen apo jo të veprave me bazë nafte në gjirin e Vlorës. Më tej situata përpara komisariatit është rënduar. Ka qenë vetë drejtori i policisë së Vlorës, Vehbi Bushati, që iu ka kërkuar alencistëve në këtë protestë të tyre të largohen nga institucioni. Por ata nuk janë bindur, kështu që drejtori i policisë, Bushati, ka urdhëruar efektivat e tij për të bërë të mundur largimin e protestuesve jashtë oborrit të komisariatit të policisë Vlorë. Me urdhër të kreut të policisë lokale është thirrur sërish grupi i gatshëm për të shpërndarë njerëzit, dhe njëkohësisht për ti nxjerrë ata jashtë dhe larg portës kryesore hyrëse ku ata qëndronin, duke brohoritur "Lironi Shokët Tanë". Në këtë mënyrë përfaqësuesit e Aleancës janë larguar sërish me dhunë duke u penguar për të zhvilluar protestën e tyre.

***

Më pas kreu i policisë, Bushati, ka thirrur tre prej tyre, bashkëshorten e e Sadrit Danaj, Era Danaj si dhe dy aktivistët e aleancës, Petrit Levendi dhe Sinan Ibron në zyrën e tij për bashkëbisedim, ndërsa nga protestuesit e tjerë janë shoqëruar në komisariat tre të tjerë, të cilët i kanë bërë rezistencë policëve për këtë shoqërim. Ata u tërhoqën zvarrë prej policisë për në dhomat e izolimit. Ndërsa zëdhënësja e policisë së Vlorës, Rezarta Leli, ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka dhënë versionin zyrtar tëarrestimit të aleancistëve në mbrëmjen së hënës dhe njëkohësisht ka bërë me dije publikun se ky nuk është rasti i parë që referohen prokurorisëngjarja lidhur me këtë organizatë për sa i përket bllokimit të rrugës dhe tubimeve të paligjshme. Ky është rast i dytë që ndajAlencës procedohen për këtë vepër penale, e para më datë 27 dhjetor 2007, një ditë pas bllokimit të rrugës që të shpie tek kantieri i firmës italiane Petrolifera dhe tek TEC-i. Ngujimi i përfaqësuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës në këtë rrugë zgjati nëntë ditë, por procedimi penal në ngarkim të tyre u pushua nga vetë prokuroria. Aktualisht policia ka 6 aleancistë të arrestuar dhe tre të tjerë të shoqëruar për të cilët janë kryer veprimet e po merret Prokuroria e rrethit të Vlorës.

 

Të arrestuarit

Sadrit Danaj

Besnik Lulaj

Eneid Hamzaj

Alfons Bilali

Viktor Lagji

Viron Serati

Deklarata e Aleancës

Aleanca për mbrojtjen e gjirit të Vlorës ndodhet këtu për të denoncuar aktin arbitrar të policisë së Vlorës, e cila duke kapërcyer kompetencat që u jep kushtetuta, ka ndaluar aktivistë të aleancës. Ata po mbahen në kushte çnjerëzore në ambientet e komisariatit, në rastin konkret i bëjmë të ditur policisë dhe gjithë opinionit publik shqiptar se vepra e kryer quhet kundërvajtje penale dhe nuk ka ekstremitetet e një vepre penale. Duke vepruar në këtë formë shteti pa argumente po abuzon. Ne kërkojmë drejtësi dhe jemi të vendosur të vijojmë luftën për kauzën tonë. Duke parë kushte të tilla ne iu bëjmë thirrje qytetarëve të bashkohen nesër në protestën e madhe që do të zhvillohet paradite në orën 11.00. A.P

Familjarët

"Kjo është dhunë e pastër policore"

Era Danaj, bashkëshortja e një prej drejtuesve të Aleancës, Sadrit Danaj, aktualisht nën arrest, e vlerëson këtë një akt të paprecedent. Sipas saj, ajo çka u zhvillua dje ishte diçka spontane nga vetë studentët, të cilët ishin të irrituar për faktin se mjetet e tilla, të rënda, vepronin në kundërshtim me ligjin, duke thyer rregullat e vendosur për mjete të tilla, në lidhje me qarkullimin e tyre, të ndaluar në orët e mbrëmjes. Sipas një rregulli të vendosur nga njësia vendore, ata duhet të qarkullojnë pas orës 23.00. Studentët protestues thjesht kanë bllokuar mjetin e firmës, i cili ishte me gurë të rëndë dhe kalonte në mes të qytetit, duke thyer rregullat e qarkullimit për ta. "Ka qenë një lëvizje spontane, e organizuar nga studentë, nuk ka pasur absolutisht bllokim rruge siç pretendohet, pasi gurët e hedhur nga kamioni i madh, nuk kanë bllokuar aspak aksin. Në momentin qe ka ardhur Sadriti, pikërisht është gjendur në duart e policëve. Padyshim që është dhunë policore dhe nuk mund ta përkufizojmë ndryshe. Avokatët tanë na thonë se nuk mund të konsiderohet kurrsesi një vepër penale dhe nuk po e kuptojmë pse i mbajnë të izoluar. Ne kërkojmë lirimin e tyre sa më të shpejtë, sepse nukka absolutisht ekstremitete të një vepre penale, siç thotë policia, e cila vepron në kundërshtim të plotë me ligjin. Unë vetë personalisht kam qenë objekt i dhunës në vendngjarje, pasi një prej agjentëve të policisë më ka kërcënuar kur isha në vendngjarje, më ka shtyrë dhe pastaj vetëm kur i foli një prej eprorëve të tij, ai ndaloi". A.P

Lëvizja Mjaft

Policia po shkel kushtetutën duke arrestuar protestuesit

Aktivistë të lëvizjes Mjaft, rolin e policisë e cilësojnë si abuzim dhe tejkalim kompetencash. Ligji për tubimin, duhet të garantojë qytetarët si ata të shprehen më mirë dhe policia këtë rol ka, që të mos pengohet liria e të shprehurit. Leart Kola, aktivist i Lëvizjes Mjaft, i cili ndodhej dje në Vlorë, në përkrahje të aleancistëve shprehet se e para policia nuk shikon ligjet e saj. Në deklaratën për shtyp që bëri sot policia, e cilësoi si vepër penale, ndërkohë që ekstremiteti i saj shihet thjesht si një kundërvajtje penale, që rasti më i keq dënohet me gjobë dhe në mënyrë absolute nuk dënohet me izolim të pjesëmarrësve. Aq më tepër pa treguar dhe autorësinë e organizimit. Mjaft është këtu në mbështetje të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës dhe është në mbrojtje të lirisë së shprehjes. Komisariati i Vlorës në mënyrë abuzive shkeli kushtetutën, e cila është e garantuar me ligj. Ne do t'i bashkohemi nesër protestës, sepse kjo përveç kërkesave të AMGJ, është dhe një protestë, për lirinë e shprehjes dhe për mbrojtjen e kushtetutës që po shkelet çdo ditë e më shumë nga ky shtet diktatorial, që nuk njeh as kushtetutën e vet. A.P

Kërcënohet avokati i Lëvizjes MJAFT!, Andi Kananaj

Një incident ka ndodhur dje në Vlorë mes një grupi agjentësh civilë të komisariatit të Vlorës dhe juristit zyrtar të Lëvizjes MJAFT!, Andi Kananaj. Ky i fundit ndodhej në trotuarin përballë komisariatit bashkë me aktivistë të tjerë të Lëvizjes MJAFT! si dhe me mbështetës së Aleancës për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirit të Vlorës, kur agjentët e veshur civilë të Vlorës e rrethuan duke e kërcënuar në mënyrë verbale. "Hej, pas pak fiken dritat… Ki kujdes se këtu nuk je në Tiranë!", i tha Kananajt në një moment njëri prej agjentëve. Në këtë moment agjentët e tjerë, të cilët në asnjë moment nuk u prezantuan filluan t'i bënin avokatit të MJAFT!-it presione për ta detyruar atë dhe aktivistët e tjerë që të largoheshin dhe të mos kishte mundësi të informohej mbi aspektet e ndalimit të aktivistëve të AMGJ-së si dhe të mos mund të takohej, ashtu siç siguron ligji, me ta brenda komisariatit. Pak minuta para këtij incidenti, vetë drejtori i policisë së Vlorës, Vehbi Bushati, u gjend mes turmës së aktivistëve duke u bërtitur atyre që të largoheshin e duke i shtyrë me dhunë. A. P

Pse u egërsua papritur policia në Vlorë?

Protesta si ajo e të martës në mbrëmje qytetarët dhe studetët e Vlorës kanë organizuar me dhjetëra këto kohë, por në asnjë rast reagimi i policisë nuk ka qenë aq i egër dhe në shkelje flagrante të ligjit. Protesta që bllokoi mu në zemër të qytetit një kamionqë çonte gurë në Pyllin e Sodës, jashtë çdo rregulli teknik, si kulm të saj pati rrethimin e kamionit me një parullë ku shkruhej "Pushtetarë Mashtrues, Gëzuar 1 Prillin". Simbolikisht, pra studentët protestonin dheironizonin qeverinë për premtimet e pambajtuar të 2005-ës dhe në veçanti për pretimin e famshëm të kësaj maxhorance që në fushatën e zgjedhjeve të atëhereshme për të marrë votat e vlonjatëve nuk linte miting pa u çjerrë se projekte të tilla si Petrolifera, TEC-et e tjera vepra energjitike nuk munde nuk do të ndërtohen në gjirin e Vlorës dhe se ato të do anullohen me të ardhur PD në pushtet. Jo vetëm që kjo rezultoi gënjeshtër, por edhe e drejta legjitime kushtetuese e referendumit për të cilën populli i Vlorës mblodhi firmat dhe dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm u manipulua dhe u rrëzua nga KQZ pas urdhrit politik të qeverisë.

Por le të kthehemi tek ai reagim i policisë në dy ditët e fundit dhe tek arrestimi i 6 prej përfaqësuesve të Aleancës për Vlorën, edhe pse këta të fundit si rrallëherë atë ditë për saktësi nuk ishin organizatorë dhe pjesëmarrës në tubim. Ndalimi i protesës, ndërprerja me dhunë e një të drejte elementare, shoqërimi në komisiarat dhe futja një një qeli e tetë vetëve në kushtet e një papastërie ekstreme është quajtur prej konstitucionalistëve njëveprim çnjerëzor, çka mjafton që t'i vësh kapak të gjitha përpjekjevee diskutimeve juridike për t'i parë veprimet e forcave policore nën të drejtën e zbatimit të ligjeve të shtetit. Në të kundërt, rasti në fjalë sjell në vëmendjen e opinionit të kundërtën. Shkeljen e ligjit nga policia që këtë herë duket se ka vepruar sipas një plani të mirëmenduar. Qeverisë dhe kryeministrit që ka më shumë se dy javë që, një ditë thotë se Gërdecin e dëgjoi për herë të parë në 15 mars, e ditën tjetër thotë se aty punonte baxhanaku i tij po ky nuk e takonte, që në mëngjes thotë se në punishten e vdekjes nuk kishte fëmijë e në darkë, pasi shikon filmimet justifikohet se ato të dhëna i kishin servirur vartësit. Patjetër i volit shpërqendrimi i vëmendjes nga kjo ngjarje, jehona e së cilës ka për të vendosur dhe zgjedhjet e 2009-ës. Ndezja e disa vatrave të zjarrit, po përdoren nga Berisha dhe të tijët për të shuar zjarrin e Gërdecit, që me nisjen e hetimeve nga prokuroria dhe ndërkombëtarët për aferat e armëve shqiptare në median e huaj, nuk dihet sa sa lart mund të shkojnë. Kryeministri e di fare mirë senuk mund t'ia dalë i vetëm kundër opinionit që sa vjen e ndërgjegjësohet për aferën e Gërdecit dhe trafikut të armëve. Në këtë përballje edhe komerdarja e NATO-s nuk i hyn në punë, ndaj dhe flakët e Gërdecit kanë nisur të shpërndahen sa më larg Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›