Fier, rikthehen mungesat e energjisë, reagojnë bizneset
FIER - Biznese të shumtë, të pozicionuar në zonën industriale të qytetit të Fierit vuajnë mungesën e energjisë elektrike. Rrjeti i amortizuar, mangësitë në sistemin transmetues e një mori defektesh kanë bërë që për 4 ditë rresht një pjesë e mirë e këtyre bizneseve të ndezin gjeneratorët për të nxjerrë në treg prodhimin e tyre. Më evident ky problem mbetet për furrat e prodhimit të bukës, pasi edhe vetë produkti është i domosdoshëm në treg. Prodhuesit tregojnë së në bazë të marrëveshjeve që kanë bërë me kompaninë shpërndarëse të energjisë elektrike, këta të fundit duhet t’i dëmshpërblejnë për gjithçka është prishur gjatë kësaj kohe. “Ka më shumë se katër ditë që mungon energjia elektrike dhe është e pamundur të përballohet kostoja e prodhimit të bukës. Vetëm gjatë këtyre katër ditëve, për shkak të ndërprerjes së herëpashershme të energjisë kam harxhuar më shumë se 800 litra naftë për të mbajtur ndezur gjeneratorët. Asnjëherë nuk na kanë njoftuar kur kanë remonte, çka na ka shkatërruar biznesin se dritat vijnë dhe ikin pa orar. Ne na prishet brumi që prodhojmë bukën se nga mungesa e dritave ai fermentohet”, thotë njëri prej tyre. E njëjta situatë është përsëritur edhe në shumë biznese të tjera, pronarët e të cilëve i kanë mëshuar faktit se janë pagues të rregullt të faturës së OSSH-së, ndërsa kjo e fundit nuk tregohet aspak korrekte me ta. Ndërkohë, shqetësimin e tyre nuk e kanë komentuar aspak krerët drejtues të OSSH-së në Fier, duke mos dhënë shpjegime për këto ndërprerje dhe oraret e energjisë. m.r