Sarandë, maskat grabisin në mes të ditës shtëpinë e biznesmenit
SARANDE - Një ngjarje e rëndë është shënuar në mes të ditës në qytetin e Sarandës. Familja e një biznesmeni ka rënë pre e grabitësve me armë e maska, të cilët nën ushtrimin e dhunës e kanosjes, kanë arritur të grabisin 200 mijë lekë. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 11:00 të së premtes, në familjen e shtetasit Edmond Shalari, në lagjen nr.4 të qytetit të Sarandës. Dy shtetas të maskuar dhe të armatosur, kanë hyrë me dhunë në banesë në katin e katërt të një pallati, ku kanë gjetur vetëm një të moshuar. Mësohet se nën kërcënimin e armës, ata e kanë lidhur të moshuarën pas një karrigeje, për të mos i penguar grabitësit në veprën e tyre. Pas kontrollimit të shtëpisë, ata kanë gjetur rreth 200 mijë lekë, duke u larguar menjëherë. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë pas denoncimit, dhjetëra forca policore, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe mbledhjen e provave materiale. Në lidhje me ngjarjen, Komisariati i Policisë së Rendit Sarandë, nuk ka pranuar të prononcohet zyrtarisht, ndërsa kanë shtuar se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nga burime konfidenciale mësohet se në komisariat u shoqëruan disa persona, kryesisht kontingjente policie, por nuk është ndaluar asnjë person. Edmond Shalari, banor i qytetit të Sarandës, është biznesmen i pllakave dhe hidrosanitareve, biznes të cilin e ushtron në lagjen nr.4 të qytetit. Mendohet që grabitësit e kanë studiuar më parë familjen Shalari dhe kanë vepruar sapo çifti ka lënë shtëpinë për të vepruar. sh.d