Sherr mes “të fortëve” të lagjes, plagosen me thika tre minorenë
TIRANE - Një sherr mes “të fortëve” të lagjes në Sauk të Tiranës, ka përfunduar me tre adoleshentë të plagosur dhe tre të tjerë në pranga. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën periferike të kryeqytetit, kur mes gjashtë adoleshentëve ka nisur një konflikt që në fakt nuk ishte i pari mes tyre. Burime nga policia thanë se ata herë pas herë shkëmbenin fyerje dhe kërcënime me njëri-tjetrin, pasi kishin ndarë zonat se ku do qëndronte njëra palë dhe ku pala tjetër. Por nëse herët e tjera debatet mes tyre nuk e kanë kaluar kufirin e fyerjeve dhe presioneve, dy ditë më parë ata kanë përdorur edhe thikat. Si rezultat kanë mbetur të plagosur dy vëllezër 16 dhe 17-vjeç dhe bashkëmoshatari i tyre e ndërsa autorët, të së njëjtës moshe me ta janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Kanë qenë dëshmitarët e rastit, të cilët kanë parë përleshjen e adoleshentëve dhe kanë lajmëruar menjëherë policinë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit Nr.1 dhe oficerë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Policia sqaroi se të plagosurit, Karafil e Ramazan Nuredinaj dhe Erald Memoçi, janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku mjekët kanë konstatuar se dëmtimet nuk kanë qenë serioze dhe pas mjekimit ata janë kthyer në shtëpitë e tyre. Ndërsa policia ka ngritur postblloqe në të gjitha rrugët dalëse të Tiranës dhe shumë shpejt ka mundur të arrestojë të dyshuarit si autorë të ngjarjes, dy prej të cilëve janë arrestuar tek Unaza e Re, e ndërsa i treti në një rrugicë të errët të Saukut. Burime nga policia thanë se të dyshuarit E.S., Y.T. dhe F.M., respektivisht të moshave 16 dhe 17 vjeç, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr.1, ku janë marrë në pyetje në prani të një psikologeje dhe kanë dhënë shpjegime rreth ngjarjes. Ata janë arrestuar me akuzën e “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”, por ende nuk janë gjetur thikat, me të cilat ata kanë plagosur bashkëmoshatarët. Mësohet se ata kanë pranuar autorësinë e krimit, duke shpjeguar se ka qenë një sherr i momentit. Ndërsa nga ana tjetër policia shpjegoi se tre të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.