Zbulohet mesazhi “terrorist”
Fatos Mahmutaj
Artan Kristo, besimtari mysliman nga Durrësi, i arrestuar pak ditë më parë, ka përdorur tre faqe në internet dhe adresën e tij të postës elektronike për të konsumuar elementë të veprës penale të “thirrjes për të nxitur terrorizëm”. Hetimet paraprake në ngarkim të tij kanë zbuluar se veç faqes elektronike “albselefet.net”, ai ka shfrytëzuar edhe dy faqe të tjera, “forum-islamic.com” dhe “udhezime dhe drita.net”, duke komunikuar nga adresa e tij e e-mailit eddirajeh@hotmail.com. Sipas prokurorisë, nga kjo adresë Kristo dërgonte komente për tema të ndryshme, duke bërë deklarata që nxisin kryerjen e veprimeve terroriste. Nga transkiptimi i materialeve të gjetura në këto faqe elektronike si dhe në adresën e postës së Kristos, SHISH pohon se ka gjetur shprehje të tilla si: “ka pasur, ka dhe do të ketë Xhihad, i cili është obligim dhe detyrim për myslimanët, deri ditën e gjykimit”, “në Xhihad shkohet për të luftuar e për të vrarë qafirët, që janë bërë pengesë për vendosjen e shtetit islam, drejtësisë, pra duhet të kesh me se të vrasësh”. Ndërkohë më tej pohohet se Kristo ka bërë deklarata si: “normalisht ne pranojmë edhe të vritemi, sepse Xhihadi është luftë e shenjtë dhe obligim për myslimanin, por jo vetëm të vritemi, por të vrasim”; “ne jemi pro Xhihadit, lutemi që të vijë ajo ditë që të na mundësohet ta ndihmojmë islamin, ta bëjmë Xhihadin me anë të fjalës, forcës së krahut, bombës, por duhet të përgatitemi sa më shumë që të kemi mundësi”. “Nisur nga përmbajtja e këtyre pamjeve filmike, këshillave dhe propagandës, Prokuroria pretendon se, nxitet urrejtja fetare, e cila rrezikon përçarje sociale në familjet shqiptare dhe mirëkuptimin e bashkëjetesën brenda komunitetit mysliman dhe më gjerë”, pohohet në vendimin e gjykatës për vendosjen e masës së sigurisë ndaj 31-vjeçarit nga Durrësi. Më tej, gjykata argumenton se në rrugë operative Shërbimi Informativ Shtetëror, si institucion që inicioi hetimet ndaj Kristos, si dhe prokuroria, kanë siguruar katër numrat telefonikë të përdorur nga i dyshuari ku kanë përgjuar të gjitha bisedat e tij. Në vendimin e masës së sigurisë nuk thuhet nëse ai ka konsumuar elementë të veprës penale nëpërmjet telefonit. Sipas vendimit të gjykatës, nisur nga transkriptet e bisedave të bëra në faqet elektronike dhe përmbajtja e pamjeve të shkarkuara nga faqet në internet, prokuroria ka pretenduar se në këtë rast kemi të bëjmë me vepër penale, me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për nevoja të hetimit të kësaj vepre penale ka dalë i nevojshëm prangosja e të pandehurit.
MESAZHI
Artan Kristo
“...ka pasur, ka dhe do të ketë Xhihad, i cili është obligim dhe detyrim për myslimanët, deri ditën e gjykimit...”, “...në Xhihad shkohet për të luftuar e për të vrarë qafirët, që janë bërë pengesë për vendosjen e shtetit islam, drejtësisë, pra duhet të kesh me se të vrasësh...”; “...normalisht ne pranojmë edhe të vritemi sepse Xhihadi është luftë e shenjtë dhe obligim për myslimanin, por jo vetëm të vritemi, por të vrasim...”; “...ne jemi pro Xhihadit, lutemi që të vijë ajo ditë që të na mundësohet ta ndihmojmë islamin, ta bëjmë Xhihadin me atë të fjalës, forcës së krahut, bombës, ... por duhet të përgatitemi sa më shumë që të kemi mundësi...”.
Kontroll banesës e klinikës
TIRANE - Në të njëjtën kohë kur agjentët e policisë vunë në pranga Artan Kriston, kolegët e tyre ushtruan kontroll në banesën e tij duke sekuestruar prej andej kompjuterin personal, që 31 vjeçari nga Durrësi përdorte prej disa kohësh. Veç banesës së Kristos, i njohur edhe me emrin fetar Muhamed Abdullah Al Albani, e ndodhur në lagjen “Troplini” në fshatin Rrashbull, Durrës, policia kontrolloi edhe klinikën mjekësore, e ndodhur në një banesë dykatëshe, rrugica e Gjykatës së Apelit Durrës, Rruga “Bajram Curri”, lagja 14, Shkozet, Durrës, ku Kristo ushtron aktivitetin e tij. Për këto ambiente oficerët e policisë gjyqësore që kanë kryer veprimet dispononin vendime gjyqësore.