E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laço: Po nxjerr nga ‘mjegulla’ luftën italo-greke

 

alma mile

“Ishte si një sëmundje e butë, e cila jetoi me mua për 35 vjet. Vetëm tani munda të shërohem prej saj”. Kështu shprehet shkrimtari Teodor Laço, për romanin e tij të ri “Mjegull”, që sapo është hedhur në treg nga shtëpia botuese “Tirana Times”. Është një roman historik, që për vite ka “fjetur” tek autori, duke mos e lënë të qetë, deri sa erdhi në dritë. Një roman, që zë fill në fëmijërinë e autorit, kur fshati i tij i lindjes ishte shesh lufte mes dy fuqive të huaja. Është koha e luftës italo-greke, një periudhë e cila ende vazhdon të jetë në mjegull, për historinë dhe letërsinë. Dje, në sallën “Tefta Tashko Koço”, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u prezantua romani i ri i shkrimtarit Teodor Laço. Lexuesit e parë ndanë me të pranishmit mendimet e tyre për këtë libër, i cili është një gërshetim kujtimesh, kronikash të kohës dhe trilli artistik. Për botuesen Jerina Zaloshnja, janë disa arsyet pse shtëpia e re botuese “Tirana Times”, e nisi rrugëtimin e saj me librin e Laços: sepse i përket një gjinie të munguar prej kohës, sepse trajton një periudhe historike ende të pazbardhur mirë, sepse është një roman i fortë psikologjik, por sepse më së shumti, mban firmën e një autori të garantuar. Për redaktorin e këtij libri, studiuesin Behar Gjoka, libri grish që në titull, me metaforën “Mjegull”. Sipas tij autori edhe pse trajton një temë të mprehtë si ajo e marrëdhënieve italo-greke, mes të cilëve janë shqiptarët, nuk provokon. “Është një libër mbi luftën për jetën, për paqen, për ekzistencën”, - thotë Gjoka, i cili nuk nguron ta përqasë stilin rrëfimtar të Laços me atë kutelian. Sipas tij ky është një roman tipik i vendlindjes, me tablo të gjera jetësore, ku personazhet historikë gërshetohen me ata të trilluar. Vetë shkrimtari, duke ia lënë lexuesit të japë vlerësimin për këtë libër, shfrytëzoi këtë promovim, për t’i bërë një apel institucioneve shtetërore, që ta kthejnë ca më shumë vëmendjen nga shkrimtarët dhe artistët në përgjithësi. Ai solli rastin e poetit dhe përkthyesit Dhori Qirjazi, i cili u nda nga jeta vetëm pak kohë më parë, por për të cilin u fol pak, me përjashtim të ndonjë gazete (“Panorama”) që botuan një homazh të një grupi artistësh. Pas prezantimit të librit, mes autografesh dhe shtrëngime duarsh, shkrimtari na tregon diçka rreth librit të tij.
Z. Laço vini tek lexuesi me një libër, që e ka zanafillën në fëmijërinë tuaj, përse tani kjo vepër?
Është një roman që ka ndenjur brenda meje për një kohë të gjatë, për 35 vjet. Mund ta kisha shkruar edhe më parë, por në periudhën e realizmit socialist vuaja nga autocensura dhe shumë gjëra që i kam thënë tani, nuk do t’i kisha thënë. Tani u “çlirova” prej saj dhe më në fund arrita ta shkruaj dhe para disa muajsh e çova për botim. Romani ka të veçantë që vendoset në një periudhë, kur dy forca ndërluftuese luftonin në tokën shqiptare. Oshte një periudhë kur fati i shqiptarëve nuk varej nga vetë ata, nga etja e tyre për liri, dëshira për të çliruar vendin, por nga luftimet e ushtrive italiane dhe greke.
Çfarë ju ka ngacmuar nga periudha e luftës italo-greke?
Mua me duket se është një periudhë pak e trajtuar nga letërsia. Është trajtuar pak në histori dhe meqë vitet e fundit kam hasur në disa materiale dokumentare që kanë të bëjnë me luftën italo- greke, siç është libri i kryekomandantit të ushtrisë greke, ose kujtimet e Jakomonit, apo të Kontit Çiano, pata një vizion më të qartë për historinë e kohës në të cilën janë vendosur ngjarjet edhe në romanin tim.
Sa histori dhe sa krijim është ky roman?
Ky është një roman, nuk është histori dhe vendin kryesor këtu e zënë personazhet e krijuar, por më kanë shërbyer shumë edhe kujtimet dhe mbresat e atyre që kanë jetuar atë periudhë dhe lufta është në sfondin e tij. Por ka një mpleksje mes kronologjisë së luftës, që është dhënë nga shtabet kryesore, që zë një pjesë të vogël dhe trillimit artistik që zë pjesën më të madhe të librit.
Janë ngjarje të para me syrin e fëmijës?
Është një roman i shkruar në distancë. Ngjarjet e para me syrin e fëmijës shërbejnë vetëm për impresionet e para. Personazhet e tij i përkasin një brezi, të cilët janë detyruar të mbajnë barrën e saj.
Megjithatë ai fëmija brenda jush ju ka shtyrë ta shkruani këtë libër...
Ngarkesa personale ka qenë një shtysë e fortë për ta shkruar këtë libër, pasi emocionet e forta të përjetuara në fëmijëri, por edhe më vonë, janë ngacmim i vazhdueshëm, prej të cilit, ai zor se çlirohet ndonjëherë. Nëse do të bënim një paralelizëm të tillë, shkrimtari është si një grua shtatzënë, që vetëm kur e nxjerr prej vetes atë që e ka munduar prej kohësh, mund të thotë se ka realizuar një pjesë të jetës së tij, atë që përbën qëllimin kryesor të tij.

Të dhënat

Titulli: “Mjegull”
Autori: Teodor Laço
Gjinia: Roman historik
Shtëpia Botuese:
“Tirana Times”
Faqe: 345
Çmimi: 1000 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›