E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja pas sherrit në kalçeto

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Atentati në Shkodër u krye pas një grindjeje të dy shokëve në ndeshjen e futbollit në një fushë kalçetoje. Policia e Shkodrës identifikoi si autorin e vrasjes së Olsi Currit 25-vjeçarin Alfons Fusha. Ai u shpall në kërkim, si i dyshuari kryesor për vrasjen e 27-vjeçarit Curri, ngjarje e ndodhur rreth orës 19:30 të së enjtes. I riu mbeti i vrarë në lagjen “Skënderbeg”, ndërsa plumbave të pistoletës nuk i shpëtoi edhe një kalimtare. 31- vjecarja Rozina Pali përfundoi në spital me një plumb, por fatmirësisht nuk i rrezikoi jetën. Grupit të hetimit i janë dashur 4 orë punë intensive për të kopsitur gjithë ngjarjen e rëndë që ndodhi në mes të qytetit, në sy të dhjetëra kalimtarëve. Ngjarja që shkaktoi panik tek banorët vuri në alarm policinë. Në sajë të deponimeve të shokëve të viktimës është bërë e mundur që të mësohet në lidhje me grindjen që dy të rinjtë kanë pasur gjatë një ndeshjeje futbolli. Personat e shoqëruar në polici, shokë të viktimës, por edhe të autorit kanë rrëfyer debatin e ndodhur në fushën e kalçetos. Sipas tyre, vetëm pak kohë, para se të ndodhte ngjarja, ata kanë qenë duke luajtur së bashku futboll, fare pranë shtëpisë së tyre. Mësohet se viktima dhe autori banonin në të njëjtën lagje. Në lojë e sipër Curri dhe Fusha kanë filluar të grinden me fjalë të rënda. Por ka qenë ndërhyrja e bashkëlojtarëve të tjerë që ka normalizuar situatën, duke mos lejuar që konflikti ndërmjet tyre të përfundonte me grushte. Pas lojës, Fusha nuk e ka lënë me kaq. Ai ka marrë një pistoletë, të cilën e mbante pa leje dhe pas ndeshjes është vënë në ndjekje të Olsi Currit. Ky i fundit duke menduar se konflikti është mbyllur që në fushën e lojës, ka shkuar për të pirë një kafe me shokët, të cilët e prisnin në një lokal në afërsi të kryqëzimit të spitaleve. Sipas policisë, Alfons Fusha i cili lëvizte me një mjet autoveturë tip “Benz” ka ndaluar përballë lokalit ku ndodhej Curri dhe ka pritur të dilte. Kur i riu ka dalë në trotuarin e rrugës, ai është qëlluar me pistoletë nga personi që ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit. Sipas policisë, ky person është pikërisht Alfons Fusha. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 5 gëzhoja, por sipas policisë vetëm një plumb e ka kapur Currin në trup duke i shkaktuar atij vdekjen. Megjithëse spitali ndodhej vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes, 27-vjeçari nuk ka mundur t’i shpëtojë plagës. Ndërkohë, një vajzë 31-vjeçare, e cila ndodhej në një dyqan, është plagosur nga një plumb në krah. Ajo ndodhet në spital jashtë rrezikut. Policia e Shkodrës ka ngritur disa postblloqe me qëllim kapjen e Alfons Fushës. Ai është shpallur në kërkim si autori i dyshuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Plagosje nga pakujdesia” si dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”. Dyshohet se në makinë me të ndodhej dhe një person tjetër, emri dhe pozicioni i të cilit nuk është bërë i njohur nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›