Fier, sërish në pranga djali i ish-prefektit Troka
Arrestohet sërish djali i ish-prefektit të Fierit, Rauf Troka. Ndonëse Erion Trokës i ishte ndaluar të afrohej pranë vendeve që frekuentonte Ertilda Spaho, të cilën ai e ka dhunuar disa herë dhe së fundmi e mori peng, ai dyshohet se ka djegur banesën e saj mëngjesin e djeshëm. Tashmë ndaj Erion Trokës, 26 vjeç, njëri nga djemtë e ish-prefektit të Fierit, rëndon edhe akuza e “shkatërrimit me dashje të pronës me anën e zjarrit”, duke e çuar në katër numrin e akuzave të ngritura ndaj tij.
ZjarrvëniaBurimet zyrtare të Policisë së Fierit pohojnë për “Shqip” se rreth orës 05.00 të së dielës është bërë shoqërimi për në komisariat i Erion Trokës. Të njëjtat burime saktësojnë se shkak është bërë dyshimi se Erion Troka i kishte vënë zjarrin banesës së familjes Spaho, ku jeton ish e dashura e tij, Ertilda. Policia para prangosjes ka këqyrur automjetin, me të cilin kishte lëvizur Troka dhe ka vënë re se motori i saj ishte ende i ngrohtë. Mësohet se Troka nuk ka pranuar autorësinë e zjarrvënies dhe ka deklaruar se në orën që është djegur banesa e Spahove, ai ka qenë duke pirë kafe në një lokal në unazën e qytetit të Fierit. Por, edhe pse Erion Troka ka paraqitur alibi, policia nuk e ka marrë parasysh dhe ka vendosur arrestimin e tij, që është i dyti, brenda 2 javësh. Dyshohet se rreth orës 03.00 të mëngjesit së djeshëm, Erion Troka ka shkuar në apartamentin e Ertilda Spahos, që ndodhet në katin e tretë të një pallati 5-katësh, në lagjen “15 Tetori”. Troka, i pajisur edhe me lëndë djegëse, pasi ka spërkatur më parë derën e shtëpisë i ka vënë zjarrin. Më pas ai është larguar me makinë dhe në momentin e largimit me makinë është dalluar nga nëna e ish të dashurës dhe nga kjo e fundit. Ertilda Spaho pohon për “Shqip” se ka qenë nëna ajo që ka dalluar e para zjarrin. E alarmuar nëna e Ertildës ka ngritur familjarët dhe kanë tentuar të shuajnë flakët. “I hodha ujë derës, që kishte marrë flakë. Në këtë kohë pashë nga ballkoni i shkallëve Erionin që hipte në makinë. Njoftova policinë, e cila erdhi menjëherë pranë banesës. Më vonë u informova se policia e kishte ndaluar dhe kishte gjetur prova për të”, ka treguar për “Shqip” Ertilda Spaho. Ndërkohë që nëna e saj me lot në sy ka thënë se bashkë me jetën e vajzës rrezikohet jeta e të gjitha familjarëve dhe fqinjëve. “Me këtë shtet nuk ka drejtësi. është skandal çfarë po ndodh. E lënë të lirë me qëllim vrasjen tonë. Vajza e vogël nga ngjarja që ndodhi në shtëpi pësoi traumë dhe na u desh të merrnim një mjek që ta qetësonim. Mendonte se i ishte djegur motra. Shteti mungon, do ta lërë sërish të lirë. Nuk kam më forcë që t’i bëjë apel qoftë zonjës së Kryeministrit, apo edhe kryeparlamentares që mbron të drejtat e grave”, përfundon deklaratën e saj, nëna e Ertilda Spahos.
#