E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fusha e Maliqit, 2000 ha tokë bujqësore nën ujë

Korçë Vazhdon problemi i erozionit. Bllokime të disa akseve për shkak të rrëshqitjes së dherave

Ulet niveli i ujit në një pjesë të sipërfaqeve të përmbytura në fushën e Maliqit. Një pjesë e tokave kanë kulluar, por sipas të dhënave zyrtare, situata vazhdon të jetë shqetësuese. Për momentin janë përmirësuar vetëm disa zona: ajo e Sovjanit dhe një pjesë e parcelave të zonës së Sheqerasit. Ndërkohë që në pjesët e tjera të fushës, tokat vazhdojnë të mbeten të pushtuara nga uji. Për shkak të nivelit të lartë të ujit, në të paktën 2000 ha sipërfaqe bujqësore, vazhdojnë të mbeten nën ujë në pamundësi kullimi. Ndërkaq, mësohet se në zonat ku është bërë i mundur kullimi i tokës, kjo ka ardhur si pasojë e hapjes së kanaleve në afërsi të lumit Devoll dhe në afërsi të kolektorit të Sovjanit. Por ndërkohë që niveli i ujit ka filluar të bjerë në sipërfaqet bujqësore të përmbytura, nga ana tjetër vazhdojnë të mbeten problematike zonat që janë prekur nga erozioni.

Kështu, në segmentin rrugor Korçë-Plloçë vijon puna për zgjerimin e rrugës dhe përmirësimin e strukturave në pjesët e prekura nga rrëshqitjet në një gjatësi prej 150 metrash, ndërkohë që rrëshqitjet e tokës kanë avancuar më tej në fshatrat Goc dhe Plovisht, ku rrezikohen të paktën 25 banesa. Nga erozioni mbeten të shkatërruara edhe rruga e Moglicës ku në disa segmente të saj mjetet punojnë për të mbajtur të hapura rrugët matanë Lozhanit, por kalimi drejt Moglicës mbetet ende i bllokuar për shkak të rrugëve të çara dhe urave të dëmtuara. Në këtë aks, qarkullimi i automjeteve është bllokuar prej disa ditësh dhe ende po punohet për të gjetur një zgjidhje për devijimin e kësaj rruge. Ndërkohë, kalimi mbetet i vështirë edhe në qafën e Zvezdës për shkak të rrëshqitjes së gurëve dhe dherave nga skarpatet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›