E Diel, 1 Nëntor 2026

Grinden në lokal, vdes adoleshenti

Durrës/ I plagosur ka mbetur edhe një 18-vjeçar. Policia ndalon dy autorë të mundshëm

Një i ri ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pas një sherri mes të rinjsh durrsakë, që po merrnin pjesë në një festë të organizuar në një nga lokalet pranë detit. Viktima quhet Kledi Myzyri, banor i lagjes 12 të qytetit të Durrësit, ndërsa u plagos Ergys ç., rreth të 18-ave. Dy të rinjtë janë vënë përballë një breshërie plumbash vetëm pak metra larg universitetit “Aleksandër Moisiu” në drejtim të Currilave, jashtë lokalit ku po bëhej festa dhe nisi konflikti. Mbledhja e dëshmive të para në vendin e ngjarjes ka bërë të mundur identifikimin e shpejtë të të rinjve të përfshirë në konflikt, adoleshentë që festonin. Policia ka mundur të arrestojë pak orë pas krimit, në mbrëmjen e kaluar, dy të dyshuarit si autorë. Ata janë 16-vjeçari I. Curri, djali i njërit prej viktimave të vrasjes së trefishtë, që ndodhi një muaj më parë në një nga lagjet e qytetit dhe Rado Buçpapaj, i vitlindjes 1991, lindur në Tropojë dhe banues në Durrës. Në cilësinë e provës materiale është bllokuar edhe arma e krimit, një pistoletë e tipit TT.

Ngjarja

Ka qenë një festë e armatosur të rinjsh në një lokal pranë detit dhe kodrës së Currilave në Durrës që është mbyllur tragjikisht. Një i ri ka vdekur, një tjetër është plagosur rëndë në spital, ndërsa dy të tjerë kanë përfunduar në pranga. Mes të dyshuarve si autorë të vrasjes është edhe djali i Luan Currit, njeriut që mbeti i vrarë gjatë ekzekutimit që ndodhi një muaj më parë në lokalin e Currëve në qytetin bregdetar, ku mbetën gjithashtu të vrarë nipi i tij dhe një biznesmen ndërtimi. Konflikti banal i nisur mes dy grupeve të të rinjve brenda lokalit ku zhvillohej festa është zhvendosur jashtë lokalit, ku është pasuar me plumba pistolete që i kanë marrë jetën Myzyrit. Nuk janë përcaktuar ende rolet e dy të arrestuarve në këtë ngjarje, ndërsa ekziston vetëm një armë krimi. Dyshohet se adoleshenti Curri ka qenë i armatosur dhe për shkak të së kaluarës dhe llogarive që mbart ajo. Ndërkohë mësohet se disa ditë më parë ai ka qenë përfshirë në një tjetër konflikt të zhvilluar brenda ambienteve të shkollës së mesme publike “Naim Frashëri”.

Krimi ndodhi pasditen e së dielës, rreth orës 15.00, jashtë një lokali në lagjen nr. 1 të Durrësit në rrugën që lidh shëtitoren bregdetare me zonën e Currilave, tepër e frekuentuar nga durrsakët dhe banorë të rretheve të tjera që vijnë në lokalet e shumta të saj për të pirë një kafe a shijuar një drekë buzë detit. Krismat e armës kanë tronditur të gjithë ata që ishin vendosur në këto lokale për të shijuar fundjavën, si dhe vajzat e djemtë që merrnin pjesë në festë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, por autorët kanë pasur kohë për t’u larguar. Forcat policore kanë rrethuar vendin e krimit duke bllokuar njëkohësisht edhe lëvizjet në këtë rrugë, që gjithnjë ka pasur probleme për shkak të rrëshqitjeve kodrinore. Këtë herë bllokimi në të dyja kahet e saj pati një tjetër shkak, atë të fiksimit të një vendi ku ndodhi krimi. Policia ka nisur krehjen e zonës përreth për të gjetur autorin dhe bashkëpunëtorin e tij në këtë ngjarje të rëndë. Në cilësinë e provës materiale janë bllokuar edhe gëzhojat e plumbave të mbetura në rrugën jashtë lokalit. Krimi ka rritur atmosferën e rënduar që shkakton pasiguria për jetën të krijuar në qytetin bregdetar gjatë këtyre dy muajve të parë të vitit. Armët pa leje në duart e popullatës, përfshi këtu edhe adoleshentët mbeten ende problemi kryesor që vazhdon të marrë jetë njerëzish dhe për motive nga më banalet. Ndërsa në një analizë të policisë mbi situatën më të fundit kriminale në Durrës, krerët blu duket se janë kënaqur me përqindjen e lartë të zbulueshmërisë së krimeve të fundit, banorët ndihen të kërcënuar çdo ditë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›