Fier, shkrirja e komisionit të KEMP-it lë invalidët pa pension
Invalidët e rrethit të Fierit nuk mund të përfitojnë pension deri në fund të muajit shtator. Shkak është bërë shkrirja e komisionit mjekësor të KEMP-it, pas arrestimit të kryetarit dhe dy anëtarëve të tij për abuzime me detyrën dhe korrupsion. Mungesa e funksionimit të komisionit pranohen zyrtarisht nga dega rajonale e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore Fier. Sipas tyre qysh nga data 28 korrik, komisioni është shpërbërë dhe nuk është më në funksion të qindra invalidëve që regjistron rrethi i Fierit dhe ai i Mallakastrës. Invalidëve që vijnë kryesisht nga zonat e largëta, u duhet të kthehen mbrapsht, pasi nuk marrin dot zgjidhje për problemin e tyre. Atyre u është thënë se deri në fund të muajit shtator nuk do të mund t’u ofrohet një shërbim i tillë. Por edhe qindra invalidë të Fierit dhe Mallakastrës, që kanë përfituar daljen në KEMP para arrestimit të tre anëtarëve, nuk do të arrijnë të marrin pensionin e muajit gusht dhe atë të muajit shtator, për shkak të mosfunksionimit në këtë periudhë të komisionit mjekësor. Ky i fundit duhet të ciklonte dosjet e invalidëve dhe më pas t’i përcillte ato drejt agjencive rajonale që do të bënin shpërndarjen e pensioneve. Ky proces nuk është arritur të bëhet në kohë pas arrestimit të pjesëtarëve të komisionit mjekësor, e për pasojë invalidët nuk do të paguhen deri në momentin e formimit të komisionit të ardhshëm. Invalidët që i janë drejtuar këto ditë degës rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore kanë mundur të marrin shpjegimin e titullarit që shumë shpejt gjithçka do të normalizohet.
Komisioni i riDrejtuesit e Degës së Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore në Fier, janë duke përpiluar kërkesën për ngritjen e një komisioni të ri mjekësor. Kërkesa do t’i drejtohet Drejtorisë së Shëndetit Publik nga ku do të vijnë emrat e mjekëve që do të zëvendësojnë mjekët e arrestuar. Burimet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore në Fier, pohojnë për “Shqip” se po kërkohen mjekë specialistë me një CV të pastër, të cilët të jenë jo vetëm të aftë profesionalisht, por edhe të mos jenë të përfshirë në raste abuzimi. Në fakt, emrat e rinj të mjekëve që do të përbëjnë komisionin e ardhshëm të KEMP-it do të kalojnë për rishikim të personalitetit edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore. Nuk kanë dalë ende emra konkretë të mjekëve të rinj, por pritet që propozimet e para të nisin pas sezonit veror të pushimeve.
Kujtojmë se të enjten e kaluar janë arrestuar mjekët e KEMP-it Leon Shpataraku dhe Tushe Qalliu, si dhe është shpallur në kërkim kryetari i komisionit, Stavri Furxhi. Gjykata e Rrethit të Fierit ka vendosur burg pa afat për mjekët, ndërkohë që të martën pritet të zhvillohet seanca e apelit në gjykatën e shkallës së dytë së Vlorës. Mjekët kanë apeluar vendimin e togave të zeza fierake, që kërkojnë masë më të lehtë sigurie deri në përfundim të gjykimit të tyre.
#