Fier, ushtarakët në protestë, kërkojnë zbatimin e vendimit të kushtetueses
"Qeveria shqiptare të mbajë premtimin". Ka qenë kjo deklarata publike me të cilën kanë dalë dje në një protestë masive ish- ushtarakët e liruar në qytetin e Fierit. Këta të fundit e kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre ndaj kësaj qeverisjeje, ndërsa kanë treguar se do të përshkallëzojnë kërkesat e tyre, duke rritur kështu ritmin e protestave edhe në rang vendi.
Ishin më shumë se 100 ish- ushtarakë fierakë, të cilët arritën të zhvillonin një protestë paqësore në sheshin pranë prefekturës së qarkut Fier. Protestuesit mbanin në duar pankarta dhe banderola që theksonin edhe më tepër mllefin që ata kërkonin të shprehnin ndaj sorollatjes së deritanishme."Kemi pritur me zemër në dorë që një ditë qeveria Berisha do të mbante premtimin, po mesa duket asgjë nuk ka dashur të bëhet ashtu siç u tha në fillim. Ne nuk kërkojmë shumë, përveçse zbatimin e një vendimi të dalë prej kohësh nga gjykata kushtetuese, e cila po shtyhet nga dita në ditë pa asnjë lloj motivacioni", ka deklaruar Ruzhdi Xhepa, kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve. Më pas kanë folur edhe ish- ushtarakë të tjerë të liruar, të cilët mbështetën kreun e tyre duke kërkuar një ndërgjegjësim të qeverisë. Sipas të pranishmëve, ajo çfarë i kërkojnë kryeministrit Berisha, është ajo ç'ka u takon dhe që mbron interesat e tyre financiare. Kjo, sipas tyre nuk ka të bëjë me shtetin juridik dhe nuk prek asnjë të drejtë të shtetit ligjor. "Kjo që po kërkojnë ne është një e drejtë e çdo individi që mendon dhe që i nëpërkëmb të drejtat. Kjo s'ka të bëjë aspak me shtetin juridik", ka thënë një tjetër nga pjesëmarrësit në tubim. Protestuesit janë ndalur gjithashtu edhe tek tragjedia e Gërdecit, duke vlerësuar se fajtorët nuk kanë hyrë në burg, por ata vazhdojnë të jetojnë të lirë. Ata kanë paralajmëruar se nuk do të shkojnë në votime, duke i braktisur ato përfundimisht.