Korçë, 43 vjeçarja kërcënon me thikë në fyt të miturën
Kërcënon vogëlushen 9- vjeçare me thikë, ngjarje e rrallë në Korçë. Një grua 43- vjeçare ka kërcënuar një nxënëse të klasës së tretë, duke i shkuar asaj në shkollë, ndërsa ka përfunduar më pas e shoqëruar në komisariatin e Korçës. Ngjarja e çuditshme ka ndodhur gjatë paradites së të martës në shkollën artistike Tefta Tashko Koço.
Donika Abasllari, banore e lagjes 17 në qytetin e Korçës e pajisur me një thikë ka shkuar në shkollën e lartpërmendur, ndërsa shënjestra e saj ka qenë një vogëlushe nxënëse në klasën e tretë të kësaj shkolle. Vajza e mitur në fakt jeton në të njëjtin pallat me agresorin, madje në të njëjtin kat në lagjen 17 të qytetit. Sipas burimeve të policisë së Korçës, mësohet se 43 vjeçarja ka nisur një konflikt me familjen e vogëlushes me inicialet S. M., duke iu krijuar familjarëve të saj probleme të njëpasnjëshme. Madje ajo është kthyer dhe në një shqetësim për krejt banorët e pallatit. Por duket se konflikti i saj ka shkuar shumë më tej. Donika Abasllari ka shkuar në shkollën e vajzës të cilën e ka kërcënuar me thikë se do ta vrasë, madje i ka fyer dhe nënën e saj. Tmerri që ka përjetuar e mitura ka qenë i madh, ndërkohë që gruaja ka nxjerrë thikën me të cilën ka prekur në trup vajzën e traumatizuar. Situata ka qenë e rëndë ndërsa e mitura është përpjekur të shpëtojë, ndonëse 43- vjeçarja e ka mbajtur për më shumë se 10 minuta nën terror. Ajo i ka thënë se me këtë thikë do ta vriste, duke e bërë 9 vjeçaren të qajë dhe më pas e kënaqur është larguar nga shkolla ku ka realizuar planin e saj. Nuk dihet se vizita në shkollë e gruas ka qenë për një kërcënim apo shumë më tepër se kaq, pasi vajza është përpjekur të largohet me vrap duke i shpëtuar ndonjë hakmarrje të mundshme. Menjëherë ajo iu ka rrëfyer mësuesve dhe më pas prindërve të saj të cilët kanë kërkuar me mjaft urgjencë ndihmën e policisë së Korçës. Këta të fundit kanë nisur hetimin, ndërkohë që kanë shoqëruar për më shumë se12 orë në komisariatin e juglindjes gruan agresore. 43- vjeçarja akuzohet për veprën penale të kanosjes ndaj një të miture. Ndërkaq nxënësja në klasën e tretë nuk ka shkuar në shkollë e tmerruar se fqinja e saj agresore mund ta vriste me thikën që i ka treguar dhe me të cilën e ka kërcënuar.