Fier, vendoset largimi i tregtarëve nga urat
Këshilli bashkiak i Fierit me shumicë votash ka vendosur që gratë e grevës duhet të zhvendosen
FIER- Këshilli bashkiak i Fierit ka vendosur dje me shumicë votash që aktiviteti tregtar që zhvillohej te ura e lumit Gjanicë të spostohen nga urat. Kjo është arritur dje në një mbledhje urgjente jashtë radhe, pas shumë debatesh dhe në kushtet kur gratë vijojnë grevën e urisë për të mos u zhvendosur nga vendi ku ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar. Qëllimi i mbledhjes ka qenë caktimi i vendittë kërkuar nga 15 gra greviste, të tregut të dy urave të qytetit të Fierit. Grevë që dje mbushi ditën e saj të 12-të. Nisur nga gjendja shëndetësore e tyre, që sa vjen e përkeqësohet ato kanë kërkuar zgjidhje urgjente. Në mbledhje ka pasur debat të ashpër politik mes përfaqësuesve të partive në këtë këshill. Kohë më parë u propozua që gratë do të zhvendosen në segmentin ura e hekurt- dalja për në rrugën Fier-Patos dhe kështu do të largoheshin nga Gjanica, kusht që nuk u pranua prej tyre. Ndërkohë dje, mbledhja e zhvilluar zgjati disa orë me shumë tone të ashpra. Këshilltarët e djathtë propozuan që tregtarët të vendosen përsëri mbi dy urat, duke respektuar kështu kërkesën e grevistëve, ndërsa këshilltarët e majtë kërkuan që të zbatohet marrëveshja e grupeve politike të këshillit bashkiak, pra tregtarët e dy urave të zhvillonin aktivitetin e tyre në segmentin ura e hekurt-dalja për në rrugën Fier-Patos. Pas shumë debatesh, këshilltarët nuk kanë rënë dakord. Kryetari i këshillit bashkiak, Mylezejen Hoxha përfundimisht zgjodhi votimin me kartonë. Nga numërimi i votave, 13 ishin pro propozimit të të majtëve dhe 10 për vendosjen e tregtareve mbi dy urat kryesore. Tashmë pritet reagimi i grave në grevë.