E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, 6 mijë banorë pa një ambulancë

Dikur ka qenë një spital i mirëfilltë por tani ambulanca në Këlmend është kthyer vetëm në shërbim ambulator
SHKODËR- Ndonëse ka qenë një spital i mirëfilltë tashmë është kthyer në një qendër shëndetësore që u afron vetëm shërbim ambulator banorëve të skajit më verior të vendit. Në komunën e Këlmendit, spitali i ngritur para rreth 20 vitesh nuk funksionon më si i tillë. Ai ka vetëm një mjek dhe katër infermierë si dhe dy infermiere mami. Sipas mjekut Arbër Gjermeni që shërben këtu, ndonëse ka shtretër, rreth 6000 banorëve të 7 fshatrave të kësaj komune e cila dimrit ndeshet dhe me bllokim nga dëbora e ngrica, u ofrohet vetëm shërbim ambulator dhe ato mund të qëndrojnë këtu vetëm 24 orë. Problem për personelin mjekësor mbetet moseficienca e mjetit autoambulancë. Këtu ka një mjet autoambulancë, të dhuruar nga donatorë privatë, por ai nuk mund të përdoret për t'iu shërbyer banorëve të fshatrave të kësaj komune pasi ka probleme në dokumentacion. Një tjetër mjet autoambulancë i dhënë nga dikasteri i shëndetësisë vitin e kaluar është jashtë funksionit. Kështu që për t'i dhënë ndihmën e pare të sëmurëve nëpër fshatrat e largët të kësaj komune me terren të thyer duhen mjete private. Mjeku Gjermeni shprehet se për të shkuar tek të sëmurët lëvizim me mjetin privat të shoferit të autoambulancës ose të familjarëve të të sëmurëve, kur ato kanë mjet të tillë. Bllokimi i rrugëve që lidhin qendrën e komunës Tamarën me fshatrat e tjerë, e kufizon mundësinë e ndërhyrjes së shpejtë mjekësore në këto zona, sidomos në Vermosh. Kjo bën që në rast sëmundjesh , të përdoret vigu dhe duke ecur për orë të tëra në këmbë në dëborë, të bëhet i mundur dërgimi i të sëmurit deri në Tamarë. Banorët shprehen se ato e kanë të nevojshme më shumë se kushdo funksionimin e mjeteve lëvizëse për dhënien e ndihmës së shpejtë, sidomos në stinën e dimrit kur dhe izolohen nga bora. Në qendrën e komunës së Këlmendit në Tamarë jepet ndihma e parë në raste urgjente dhe bëhet vaksinimi i fëmijëve, ndërsa për ekzaminime të tjera dhe mjekim të specializuar, të sëmurët duhet të dërgohen në Shkodër. Këlmendi është komuna më e madhe për sa i përket sipërfaqes që ka në administrim, ndërsa rruga kryesore që përshkon këtë komunë në formë harku është 60km. A. Dushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›