Transballkanikja, gratë në grevë urie
Paralajmërimit të dy ditëve më parë iu bashkuan dje edhe gra të tjera: Nuk dalim gjallë pa paratë e shpronësimit
Banorët kërcënojnë me rifillimin e protestave: Të ndërhyjë shteti. Na premtuan zgjidhje dhe na mashtruan
VLORË- Greva e urisë, e nisur dy ditë më parë nga një banore e rrugës Transballkanike, ka zgjeruar përmasat, pasi të tjera banore e kanë pranuar formën ekstreme, deri në zgjidhjen përfundimtare të problemeve të shpronësimit. Banorët që kanë shtëpitë në anët e rrugës në ndërtim, pohojnë se ata po enden sa andej-këndej, në plotësimin e dokumentacioneve të ndërtimeve që do të shpronësohen. Kjo, pavarësisht se u premtuan zgjidhje të shpejta në negociimin e grevës së mëparshme të urisë të zhvilluar në muajt e verës së vitit të kaluar.
Greva
Tre gra janë aktualisht në grevë urie. Flora Cekodhima, 45-vjeç; Minushe Mërtiri, 55-vjeç dhe Leli Nexhipi, 47-vjeç. "Jemi të vendosura që këtë herë pa marrë të gjitha dokumentacionet të mos dalin nga ambienti ku jemi ngujuar në grevë urie",- thotë Mërtiri. Ajo deklaron e indinjuar se herën e parë janë mashtruar me gënjeshtra se do t'iu lehtësoheshin procedurat dhe do të ndihmoheshin në përshpejtimin e tyre. "Përkundrazi, vetëm po na sorollatin. Po shkojmë gjyqeve, kur shtëpitë janë tonat. As nuk kemi ardhur për t'u legalizuar, as nuk kërkojmë të marrim shtëpi, kur nuk i kemi. Duam shtëpi pas prishjes së shtëpive tona dhe deri tani kemi marrë vetëm fjalë",- pohojnë grevistet. Ato shprehen të vendosura që këtë herë të mos dalin nga greva pa marrë më parë vlerat e shpronësimit në lekë, pasi sipas tyre me këto hapa rrezikojnë të mbeten pa shtëpi.
Takimet
Ndërkohë që gratë janë ngujuar në një banesë, banorë të rrugës Transballkanike kanë vijuar djetentativat për të kërkuar zgjidhje në prefekturën e Vlorës. Por duke qenë të pakënaqur nga hapat e deritanishëm, ata kanë konfirmuar protestat. "Na u dha OK, për dokumentacionet pasi jemi banorë të vjetër dhe jo të ardhur në këtë zonë, por deri tani kemi parë vetëm fjalë",- thonë banorët. Ata shprehen këmbëngulës se nuk do të lejojnë që banesat e tyre të prishen pa marrë më parë kompensimet. Ata u kanë bërë kërkesëninstitucioneve për ndërhyrje, përfshirë këtu edhe ndihmën e kreut të qeverisë. Pas protestave të para, qeveria pranoi të rishikonte vlerat e shpronësimit, në 9944 lekë/m² truallin dhe 42 mijë lekë/m² objektin. Por teksa nuk janë dakord për vlerën e truallit, është edhe mënyra e plotësimit të dokumentacioneve që shqetëson banorët.