E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindet me të afërmin, i djeg stallën me bagëti

 Prangoset Ardian Mamollari, autor i zjarrvënies. Shkak, një konflikt pronësie me të afërmin e tij
PËRMET- Grindet me të afërmin, i djeg stallën dhe 12 bagëti. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në fshatin Leskovec të komunës Dëshnicë të rrethit të Përmetit, ndërsa policia ka vënë në pranga autorin. Burime zyrtare kanë bërë të ditur në lidhje me ngjarjen se nga ana e specialistëve të seksionit të krimeve kundër pasurisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është arrestuar shtetasi Ardian Mamollari, 27-vjeç, banor i këtij fshati. "Ky shtetas në fshatin Leskovec i ka vënë zjarrin stallës së shtetasit Bashkim Mamollari, banues në po këtë fshat. Si pasojë e kësaj zjarrvënieje stalla është djegur e tëra si dhe janë djegur 12 bagëti të imta, së bashku me sendet e tjera që kishte brenda", ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë Gentian Mullai. Ndërkohë mësohet se ka qenë një konflikt pronësie ai që ka shtyrë 27-vjeçarin të kryejë këtë akt, ndërsa arrestimi i tij është bërë disa orë pas ngjarjes në afërsi të qytetit të Këlcyrës. Tashmë Mamollarit i duhet të përballet me veprën penale të "Shkatërrimit të pronës me zjarr".E.Bani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›