Ribonifikimi i Maliqit, 6 milionë euro kundër përmbytjeve
Prezantohet projekti që do të shpëtojë nga përmbytjet e përvitshme 5 mijë ha tokë në Maliq
Korçë- Ribonifikimii fushës së Maliqit do të zhdukë përmbytjet e përvitshme të mbi 5 mijë hektarëve që përfundojnë çdo vit nën ujë. Mega projekti që kushton plot 6 milionë euro është bërë publik gjatë analizës njëvjeçare të Bordit të Kullimit në Korçë. Sipas kreut të këtij bordi, Lulëzim Hoxha ribonifikimi i fushës së Maliqit, ish- pjesë e kënetës së famshme është dhe sfida më e madhe e 2008-ës. Ky projekt, që pritet të nisë pas disa muajsh do të largojë njëherë e mirë ëndrrën e keqe të rikthimit të ish- kënetës së Maliqit dhe moçalit të saj, ndërsa do të shpëtojnë edhe 1500 familje të cilat kanë të lidhura ekzistencën e tyre me këtë fushë. Sipas drejtorit të Bordit të Kullimit në Korçë, Lulëzim Hoxha, ribonifikimi i fushës së Maliqit, e cila ka humbur trajektoren e saj pas viteve '90-të, ku janë zhdukur kanalet kulluese dhe ato vaditëse si dhe disa kolektorë, pavarësisht investimeve të vogla, që nuk kanë munguar do t'i japë një dimension të ri 5300 hektarëve të saj, por dhe do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës së 1500 familjeve. Thellimi i lumit Devoll, në një terren shkëmbor në gjatësi prej 4 km, ndërtimi i një kolektori të ri rreth 3 km të gjatë, riparimi i kaskadës mbi lumin Orman-Pojan, ngritja e një numri të madh argjinaturash, riparimi i shumë urave dhe rrugëve në këtë zonë që tashmë është kthyer në një terren të përshtatshëm për përmbytje etj., do të jenë disa prej pikave ku do të mbështetet projekti me financues Bankën Botërore dhe qeverinë shqiptare. Gjatë analizës 1- vjeçare të punës, Hoxha i ka bërë bilancin investimeve në këtë sektor, ku vetëm gjatë vitit të kaluar janë investuar me fondet e buxhetit të shtetit 280 milionë lekë.