Grabiten pajisjet e vendkomandës hekurudhore
Shoqërohet në polici një i dyshuar. Pajisjet e vjedhura do të shiteshin për skrap
LIBRAZHD-Vihet në rrezik linja hekurudhore pas vjedhjes së pajisjeve të vendkomandës në tunelin e Librazhdit. Ngjarja është konstatuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga efektivat e komisariatit të policisë së Librazhdit. Të lajmëruar nga banorët ata kanë konstatuar vjedhjen e disa pajisjeve në tunelin e vendkomandës hekurudhore. Burime të policisë bënë të ditur se vjedhja është kryer me thyerje, duke dëmtuar kështu disa pajisje të tunelit të vendkomandës hekurudhore, sistemin e ndërlidhjes dhe atë elektrik. Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor për të zbuluar prova mbi autorët e kësaj grabitjeje. Paraprakisht dyshimet kanë rënë mbi shtetasin Ardian Kojku, me banim në Librazhd, i cili aktualisht është shoqëruar në komisariatin e Librazhdit dhe po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen. Dëmtimi i vendkomandës vë seriozisht në rrezik qarkullimin normal në linjën hekurudhore. Mësohet se pajisjet e marra nuk mund të shërbejnë për asgjë, por vetëm mund të shiten me kilogram për skrap duke pasur një vlerë shumë herë më të vogël se ajo aktuale.