E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, vera me bilanc tragjik vetëhelmimesh

18/08/2009  Mjeku toksikolog Kilo Stoja: Gjatë 2 muajve, 23 raste. Kryesisht përdoret fostoksina

FIER- Janë rreth 23 raste të personave të intoksikuar me helme të ndryshme, si fostoksinë, pesticide, apo pickime të ndryshme nga gjarpri dhe merimanga e zezë. Bilanci negativ flet vetëm për 2 muajt e fundit në rrethin Fier. Sipas të vetmit mjek toksikolog në spitalin civil të Fierit, Kilo Stoja, personat e vetëhelmuar, ose të helmuar aksidentalisht, të cilëve u është dhënë ndihma e parë mjekësore, janë mjekuar në kohën e duhur dhe pas një mjekimi intensiv, ata kanë dalë nga gjendja e rëndë dhe prej spitalit kanë gëzuar shëndet të plotë.

Helmimet

“Gjatë këtyre 2 muajve të fundit, ka thënë Stoja, na kanë ardhur të intoksikuar kryesisht nga fostoksina dhe medikamente të tjera helmesh pesticide dhe rrugorë, rreth 23 raste, të cilat kanë qenë në gjendje të rëndë, por falë mjekimit intensiv, ata jo vetëm kanë dalë nga gjendja e rëndë shëndetësore, por tashmë gëzojnë shëndet të mirë. Ata nuk na thonë arsyet e vetëhelmimit, por zakonisht nga informacionet tona ose ato policore mësojmë se motivet janë banale dhe jo serioze. Në krahasim me vitet e kaluara, mendojmë se ka një ulje të rasteve të vetëhelmimit, ndërsa ata që kanë humbur jetën kanë qenë 16 raste me përfshirje të ndryshme gjeografike”. Personat që kanë tentuar dhe më pas nuk i kanë shpëtuar vdekjes përgjatë këtyre muajve të vitit 2009 kanë qenë më shumë se 85 raste tentativash, ndërsa persona që kanë vdekur më shumë se 16. Nga këta të vetëhelmuar me fostoksinë janë 25 persona, ndërsa të vetëhelmuar me rugor dhe pesticide bujqësore janë më shumë se 45 shtetas ku 12 prej tyre kanë humbur jetën. Sipas mjekut toksikolog Kilo Stoja, gjatë vitit 2009 numri i rasteve të vetëhelmimeve gjithsesi ka qenë tepër i madh. “Numrin më të madh të të vetëhelmuarëve në qarkun Fier, ka thënë mjeku toksikolog Kilo Stoja, e kanë zënë rastet e vetëhelmimit me fostoksinë, ndërsa një numër i konsiderueshëm ka qenë edhe ai i medikamenteve bujqësore dhe pesticide. Po ta krahasosh me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi një rënie prej 15%, pasi numri i saktë i vetëhelmuarve gjatë vitit 2008 ka qenë rreth 120 persona, ku numrin më të madhe e zënë helmimet me medikamente, pastaj me rugor dhe në fund me fostoksinë.

Shkaqet

Shkaqet e helmimit me fostoksinë dhe medikamente bujqësore janë nga më të ndryshmet që nga grindjet familjare, e deri ato më banale. Pjesa dërmuese e personave me fostoksinë ose medikamente bujqësore janë të moshës së re 15-20 vjeç, por nuk mungojnë edhe rastet e vetëhelmimeve të moshave të treta. Shkaku kryesor i vetëhelmimit tek moshat e dyta janë ato ekonomike. Ky është një problem madhor që duhet të shqetësojë mbarë opinionin në radhë të parë shoqatat joqeveritare, pushtetin vendor dhe organet e rendit, të cilët duhet të marrin masa për moslejimin e tregtimit të fostoksinës dhe medikamenteve bujqësore vend e pa vend”. Ndërhyrja për eliminimin ose minimizimin e këtyre rasteve duhet të jetë e menjëhershme, pasi sakrifikimi me elemente toksikë po kthehet në një fenomen tepër të rëndë shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›