E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, administrimi nga apolitikët

18/08/2009  Kreu i KDK-së Haxhinasto parashtron paketën e LSI-së për ndryshimin e Kodit

Ende asnjë datë për negociatat PD-LSI për qeverinë e ardhshme

Pas përjashtimit që dy partitë e mëdha në vend, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste i bënë LSI-së duke e mbajtur larg administrimit të procesit zgjedhor në 28 qershor, përmes përfaqësuesit të saj, Edmond Haxhinasto kjo forcë politike sugjeron ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Për këtë ai thotë që komisionerët e niveleve të dyta dhe të treta ose të përfaqësohen nga të gjitha forcat politike pjesëmarrëse në zgjedhje ose të përfaqësohen nga përfaqësues civilë. Sipas Haxhinastos, kjo rrjedhimisht do të sjellë edhe pranimin e ecurisë së procesit dhe të rezultatit të zgjedhjeve nga të gjitha palët. “Në mënyrë që asnjë nga forcat politike që konkurron në këtë proces zgjedhor të mos i kontestojë zgjedhjet, duhet që ato të jenë pjesë përbërëse e administrimit. Kjo është e parashikuar shumë mirë dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, që do të thotë ose përfshirjes së të gjitha subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje, ose zhveshjen e tyre nga përfaqësia e tyre politike dhe ky administrim të bëhet nëpërmjet përfaqësuesve civil që nuk përfaqësojnë subjekte politike, por të jetë administratë profesioniste”, - theksoi kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar. Në mënyrë të përgjithshme për LSI-në është shumë e rëndësishme jo vetëm arritja e standardeve gjatë procesit të realizimit të reformave, por edhe cilësia e tyre. “Ne duhet të kuptojmë se përveç konsensusit ka shumë rëndësi substanca dhe cilësia e standardeve që ne duhet të arrijmë përmes reformës zgjedhore. Zgjedhjet e 28 qershorit treguan se nuk mjafton vetëm vullneti dhe konsensusi politik i arritur për të kapur standardet, por duhet të kuptojmë vetë çfarë është ky standard dhe t’i krahasojmë ato me standardet e ndërkombëtarëve. Pra, ajo që duhet të bëjmë ne në të ardhmen në lidhje me këtë reformë, është përfaqësimi i drejtë dhe i patjetërsuar të vullnetit të qytetarëve”, - vijoi Haxhinasto. Në përgjigje të interesit të medias, kreu i KDK-së konfirmoi gatishmërinë e forcës politike që i përfaqëson për sa i takon edhe ndihmës në hartimin e projektbuxhetit të të ardhshëm. “Në mënyrë absolute që ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë ekspertizën tonë dhe gatishmërinë tonë, në mënyrë që ato që do të jenë prioritete të përbashkëta qeverisëse të kenë dhe faturën buxhetore për t’i mbështetur në realizimin e tyre, sepse prioritete pa mbështetje buxhetore nuk mund të ketë”, - u shpreh ai. Në vijim të fjalës së tij për këtë çështje, Haxhinasto e vuri theksin tek risia siç e quajti ai në prag-krijimi të qeverisë të re të këtyre negociatave, ku nuk do të diskutohen vetëm portofolat ministrorë që mban partia, por do të diskutohen prioritetet qeverisëse dhe kontribute të përbashkëta për hartimin e buxhetit që do të mbështesë prioritetet qeverisëse.

Asnjë datë për negociatat PD-LSI

Ende nuk ka një datë për zhvillimin e negociatave mes PD-së dhe LSI për bashkëqeverisje. Këtë e konfirmon kreu i KDK-së, Haxhinasto. “Nuk ka akoma një datë, por sigurisht që negociatat do të zhvillohen. Besoj se ka kohë të mjaftueshme duke pasur parasysh dhe afatet kushtetuese na i lejon këtë gjë. Gjithë kjo kohë do të përdoret në mënyrë efikase për të bërë negociatat përkatëse dhe për të arritur ato objektiva politike dhe atë program të përbashkët që ne dëshirojmë të realizojmë”, - tha ai. Zhvillimi ekonomik, papunësia, rritja e cilësisë së shërbimeve publike apo edhe përkujdesja sociale, janë pikat programore të LSI-së.

Postet ministrore dhe përgjegjësitë

LSI-ja përmes përfaqësuesve të saj të lartë vlerëson se më shumë se përgjegjësitë që do mbaj kjo forcë politike për postet ministrore që do kryesojë në qeverinë e ardhshme, janë të rëndësishme prioritetet e qeverisë së re. “Më e rëndësishme për ne është që prioritetet tona, qofshin politike apo zhvillimore, të harmonizohen sa më drejtë dhe sa më gjerë në programin e përbashkët qeverisës. Angazhimet dhe përgjegjësitë përkatëse që do të mbaj LSI-ja për t’i realizuar ato janë një çështje tjetër. Kjo është e rëndësishme, por jo sa prioritetet që do të ketë qeveria e ardhshme”, - tha Haxhinasto për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›