E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Do të aplikojmë për statusin e kandidatit në BE

>Shqipëria do të aplikojë për statusin e kandidatit për në BE. Këtë ua bëri të ditur Presdneti Topi ambasadorëve të Trupit Diplomatik në Tiranë në pritjen e dhënë me rastin e fillimit të vitit. "Viti 2009 është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Në pritje të përmbylljes së procesit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Shqipëria duhet të përgatitet për të kërkuar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian"- tha Topi. Ndërkaq ai ka thënë se ky është një hap që kërkon punë përgatitore. "Ky akt formal kërkon prova bindëse ndaj Brukselit"-deklaroi Topi.  Më tej ai ka renditur se "ato janë përmbushja e standardeve demokratike në të gjitha fushat në Shqipëri. Funksionimi i shtetit të së drejtës, rregullimi i drejtë i raportit pronë, pronar dhe pronësi, thellimi i luftës kundër korrupsionit, respektimi i pavarësisë së institucioneve kushtetuese, realizimi i reformave ne drejtësi për shtetasit dhe jo shtetarët, konsolidimi i lirisë së medias dhe së fundi zhvillimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme".
Duke folur për zgjedhjet Topi u shpreh se "Sot unë dekretova datën 28 qershor të këtij viti, si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri me mendimin, shpresën dhe besimin se ky është çasti më i rëndësishëm politik i demokracisë shqiptare dhe i pluralizmit në Shqipëri. Kjo datë përbën mundësinë e madhe për tu shkëputur nga tranzicioni politik në vendin tonë. Këtë përgjegjësi duhet ta ndjejnë të gjitha forcat politike në Shqipëri, si maxhoranca ashtu edhe opozita, duhet ta ndihmojnë të gjitha mediat nëpërmjet lirisë dhe objektivitetit të tyre". Ai u ka bërë apel gjithë shoqërisë për tu treguar në lartësinë e këtij momenti. "Pjesë e kësaj përgjegjësie duhet të bëhen të gjithë shtetasit tanë duke i nxitur të shprehen të lirë, të sigurt dhe të qetë si nëpërmjet ndërtimit të një infrastrukture bashkëkohore, ashtu edhe nëpërmjet zhvillimit të një fushate transparente, civile dhe programore"-tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›